Hungaria po rrit furnizimin me naftë për Serbinë, por as kjo nuk mjafton: Rezervat e karburantit mjaftojnë vetëm edhe për tre muaj

Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, ka njoftuar se kompania shtetërore e naftës MOL do të rrisë furnizimin me naftë për Serbinë, pas vendosjes së sanksioneve amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).

Shumica e naftës së papërpunuar që hyn në Serbi transportohet përmes tubacionit që menaxhohet nga kompania kroate JANAF, e cila, në përputhje me rregullat amerikane, duhet të ndërpresë bashkëpunimin me NIS-in për të shmangur sanksionet.

Kompania JANAF d.d. njoftoi dje se NIS a.d. nuk ka marrë licencën e nevojshme për të vazhduar kontratën për transportin e naftës së papërpunuar.

Szijjártó deklaroi se edhe pse MOL do të rrisë furnizimet, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të zëvendësuar plotësisht mungesën e furnizimeve nga Kroacia:

“Duke qenë se MOL luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e Serbisë me naftë të papërpunuar dhe karburant, miqtë tanë serbë mund të mbështeten në rritjen e furnizimeve nga MOL,” tha ai.

Sipas mediave serbe, rezervat aktuale të karburantit mjaftojnë për vetëm dy deri në tre muaj – pra, deri në fund të vitit. Pas kësaj periudhe, mbetet e paqartë se si do të sigurohen furnizimet e ardhshme.

Në një situatë veçanërisht të vështirë do të gjenden pronarët e pompave të karburantit, të cilët nuk do të mund të furnizohen më nga NIS-i. Nga ana tjetër, furnizimet alternative që mund të vijnë përmes cisternave, anijeve apo hekurudhës nuk do të jenë të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat në gjithë vendin.

Kategoritë
BotaLajme