Holanda: Qytetarët nisën kontrolin e kufirit vetë, ministri u bën thirrje të ndalojnë

Ministri holandez i drejtësisë dhe migracionit, David van Weel, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndërmarrin kontrollin e kufijve me iniciativë vetjake, pasi u raportua se të shtunën mbrëma disa persona ndaluan automjete në pikën kufitare ndërmjet Ter Apel dhe Rütenbrock në Gjermani.

“Kuptoj frustrimin, por me të vërtetë i bëj thirrje kësaj grupi që të ndalojë. Lëreni policinë dhe policinë ushtarake të bëjnë punën e tyre dhe të respektojnë ligjin”, deklaroi van Weel.

Ai pranoi se Holanda nuk po arrin të përballojë fluksin aktual të kërkuesve të azilit, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e banorëve lokalë, duke theksuar se nevojiten kontrolle më të mira kufitare.

“Por qëllimi nuk është që qytetarët të marrin ligjin në duart e tyre”, paralajmëroi ai.

Komuna Westerwolde, ku ndodhet Ter Apel, po ashtu nuk është e kënaqur me situatën, por autoritetet sqarojnë se qytetarëve u ndalohet të ndalojnë automjete në mënyrën siç e bën policia.

Kjo nismë e qytetarëve është mirëpritur nga e djathta dhe lideri i PVV-së, Geert Wilders, i cili e quajti këtë “një iniciativë fantastike”. Në një postim në platformën X, ai shkroi se kontrolle të tilla duhet të zhvillohen përgjatë të gjithë kufirit dhe qeveria duhet të përfshijë edhe ushtrinë.

“Do të doja të merrja pjesë herën tjetër”, shkroi Wilders.

Policia konfirmoi se kishte reaguar ndaj një raportimi, por në momentin e mbërritjes gjeti vetëm persona të grumbulluar në parking dhe nuk vërejti ndonjë vepër penale.

Kategoritë
BotaLajme