Nga Albinot Maloku
Ka një krizë konsistente kolektive nervore në qarqet serbe kundër Turqisë. Ky shpërthimi i presidentit serb Vuçiq kundër Turqisë dhe presidentit Erdogan, si duket, i shkaktuar nga një lajm krejt normal se në Kosovë ka mbërritur SkyDagger, një sistem i avancuar i armatimit ajror që përforcon më tej kapacitetet e Forcave të Sigurisë së Kosovës në rrugëtimin e saj të pandalshëm drejt një ushtrie të mirëfilltë me standarde të NATO-s, s’ngjall më befasi.
Por ajo që bie prej kohësh në sy është se, kjo krizë primitive ndaj çdo gjëje që forcon Kosovën, nuk është veç e Serbisë. Në mënyrë të çuditshme dhe për fat të keq jo të pazakontë, i njëjti narrativ antiturk prej kohësh është përpjekur të shitet edhe në gjuhën shqipe, që në thelb është frustrim. Nuk është hera e parë që përpjekjet e Turqisë për të ndihmuar Kosovën hasin në kundërshti, dhe atë jo vetëm nga ata që e shohin Kosovën si “krahinë të tyre”! Këta kundërshtarët që në gjuhën shqipe shkruajnë e flasin kundër Turqisë, që zakonisht s’i dallojnë dronët nga drithërat, i kap paniku sa herë përmendet bashkëpunimi i Kosovës me Turqinë: sikur po instalohet ndonjë kalifat e jo një sistem i avancuar i miqësisë së shumanshme. Turqia, ndryshe nga shumë vende të tjera që s’ofrojnë veçse fjalë dhe premtime, ka qenë një partnere konkrete, aktive dhe konsistente në forcimin e kapaciteteve shtetërore të Kosovës.
Sa për rikujtim, Turqia ka qenë e është një nga mbështetëset më të mëdha dhe më të qëndrueshme të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Si një vend anëtar i NATO-s dhe me përvojë të gjatë në çështjet e sigurisë rajonale, ajo ka qenë ndër të parat që ka ofruar trajnim profesional për pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Qindra ushtarakë kosovarë janë trajnuar në akademitë turke, duke përfituar nga ekspertiza dhe praktikat më të mira të një ushtrie moderne. Përveç trajnimeve, Turqia ka dhuruar dhe shitur pajisje ushtarake moderne që i përshtaten nevojave të Kosovës, duke ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve reale mbrojtëse.
Instalimi i sistemit SkyDagger është vetëm një pjesë e këtij bashkëpunimi të gjerë, i cili përfshin gjithashtu ndihmë në logjistikë, planifikim strategjik dhe ndërtim infrastrukture ushtarake. Ndërkohë që disa zëra e portretizojnë këtë mbështetje si “ndërhyrje”, e vërteta është se bashkëpunimi me Turqinë po bëhet mbi bazën e marrëveshjeve bilaterale dhe në koordinim të plotë me strukturat ndërkombëtare që mbështesin shtetndërtimin e Kosovës. Kjo nuk është as e re, as e papritur – Republika e Turqisë dhe Republika e Kosovës shkojnë në sinkron me të ardhmen e tyre të një partneriteti miqësor, vëllazëror e strategjik!
Shtrëngata e reagimeve anti-Turqi është thjesht dëshmia më e qartë se Shteti e Ushtria e Kosovës është në rrugën e duhur. Sepse kur armiqtë e tu fillojnë të ndihen të kërcënuar nga partnerët e tu – atëherë me siguri po bën diçka mirë.
Teşekkür Ederim #Türkiye
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.