Paranoja e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, se mund të zëvendësohet nga sekretari i Ushtrisë Dan Driscoll, ka çuar në shkarkimin e disa prej gjeneralëve më të lartë të ushtrisë amerikane.
Hegseth të enjten kërkoi dorëheqjen e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralit Randy George, një bashkëpunëtor i afërt i Driscollit, në mes të luftës me Iranin, për arsye që nuk janë bërë publike.
“E gjithë kjo vjen nga pasiguria dhe paranoja që Pete ka zhvilluar pas ‘Signalgate’. Fatkeqësisht, kjo po ushqehet edhe nga disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, të cilët duhet ta qetësonin situatën”, tha një zyrtar.
Gjithashtu u shkarkuan edhe dy gjeneralë të tjerë: David Hodne nga Komanda për Transformim dhe Trajnim dhe gjeneral-majori William Green. Ministria deklaroi vetëm se “ka ardhur koha për ndryshim në udhëheqje”.
Sipas burimeve pranë administratës së Donald Trump, Hegseth është në konflikt të madh me Driscollin dhe është paralajmëruar nga Shtëpia e Bardhë se nuk mund ta shkarkojë atë, të paktën për momentin.
“Hegseth është shumë i shqetësuar se mund të shkarkohet dhe e di që Driscoll është një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar. Prandaj ai po godet këdo që e konsideron të afërt me Driscollin”, tha një burim.
Driscoll është mik i afërt i nënpresidentit JD Vance dhe emri i tij është përmendur prej kohësh si pasardhës i mundshëm i Hegseth. Dyshimet janë rritur edhe më shumë pasi Driscoll mori pjesë si negociator në luftën në Ukrainë.
Një tjetër burim shtoi: “Hegseth po përpiqet ta izolojë Driscollin dhe ta shtyjë në prapaskenë. Ai dëshiron ta shkarkojë, por Vance po e mbron”.
Megjithatë, këto frikëra nuk janë plotësisht të pabazuara, pasi presidenti Donald Trump e ka lavdëruar publikisht punën e Driscollit. Rasti i Mark Esperit në të kaluarën tregon se posti i sekretarit të Ushtrisë mund të jetë trampolinë për drejtimin e Pentagonit.
Ndërkohë, zëdhënësi i Hegseth, Sean Parnell, po shihet si kandidat i mundshëm për sekretar të Ushtrisë nëse Driscoll largohet. Ai është veteran i dekoruar me “Bronze Star” dhe “Purple Heart”.
Aktualisht nuk ka sinjale se Trump planifikon shkarkime të menjëhershme, por tensionet mes palëve po rriten. Ndryshimet e fundit në kabinet, përfshirë shkarkimet e disa zyrtarëve të lartë, kanë intensifikuar përplasjet e brendshme, në një moment të ndjeshëm për SHBA-në për shkak të luftës me Iranin.
Madje, qeveria iraniane ka ironizuar situatën në rrjetet sociale, duke shkruar: “Ndryshimi i regjimit u realizua me sukses”, duke iu referuar largimeve të liderëve ushtarakë amerikanë.
Sipas burimeve, një pikë kthese ishte përfshirja e Driscollit si negociator në Ukrainë, çka ka rritur ndjeshëm mosbesimin e Hegseth.
“Pete është bërë shumë paranojak se Driscoll po komunikon pas shpinës së tij. Kur Vance e dërgoi në Ukrainë si negociator kryesor, kjo e preku shumë. Tani po ndëshkon njerëzit rreth tij pa arsye”, tha burimi.
Ai shtoi se shkarkimi i gjeneralit më të lartë në këtë moment krijon një imazh negativ publik dhe minon mesazhin e presidentit se lufta po shkon mirë.










