Hamas ka liruar 13 izraelitët e fundit — nuk ka më pengje të gjalla në duart e tij

Sipas mediave izraelite, Hamas ka dorëzuar 13 pengjet e fundit izraelite të gjalla tek Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), duke i dhënë fund mbajtjes së pengjeve të gjalla në Rripin e Gazës.

Kjo do të thotë se në duart e Hamasit nuk ka më asnjë peng të gjallë.

Edhe pse forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) dhe Kryqi i Kuq ende nuk kanë lëshuar njoftime zyrtare, burimet mediatike në Tel Aviv konfirmojnë se transferimi është realizuar nga jugu i Gazës, ku më herët gjatë ditës ishin dorëzuar shtatë pengje të tjera.

Në anën tjetër, trupat e 28 pengjeve të vdekur mbeten ende në duart e Hamasit, ndërsa pritet që disa prej tyre të dorëzohen në Izrael gjatë ditës.

Ndërkohë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe këmbimit të të burgosurve, Izraeli ka liruar pothuajse 2.000 të burgosur palestinezë, prej të cilëve rreth 250 kishin dënime me burgim të përjetshëm.

Ky zhvillim shënon përmbylljen e fazës së parë të marrëveshjes historike midis Hamasit dhe Izraelit, e ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe Turqia, që parashikon armëpushim të përhershëm dhe rikthim të pengjeve në këmbim të lirimit masiv të palestinezëve.

Kategoritë
BotaLajme