Hamas ka filluar goditjen ndaj milicive në Gaza që bashkëpunuan me ushtrinë izraelite

Sipas gazetës saudite Asharq Al-Awsat, forcat e armatosura të Hamasit kanë nisur një fushatë për ndjekjen dhe çarmatimin e milicive lokale që kundërshtojnë sundimin e tyre në veriun e Gazës, në përpjekje për të rivendosur kontrollin pas tërheqjes së pjesshme të trupave izraelite nga rajoni.

Raporti thekson se forcat e sigurisë së brendshme të Hamasit dhe shërbimet e inteligjencës ushtarake janë dislokuar në lagjet e Jabaliyës dhe kampin e refugjatëve në verilindje të qytetit të Gazës. Këto njësi po kryejnë bastisje dhe arrestime ndaj individëve që dyshohen për bashkëpunim me Izraelin ose për përpjekje për të krijuar struktura paralele të armatosura.

Sipas burimeve të Asharq Al-Awsat, disa anëtarë të milicive janë vrarë, ndërsa të tjerë janë arrestuar gjatë përleshjeve.

Të enjten, mediat pranë Hamasit raportuan se grupi kishte vrarë disa anëtarë të familjes Dormush, e cila dyshohej për qëndrim armiqësor ndaj Hamasit. Megjithatë, klani Dormush më pas publikoi një deklaratë zyrtare duke mohuar pretendimet për përfshirje në ndonjë konflikt të tillë.

Ndërkohë, në jug të Gazës, disa klanë të armatosur lokalë kanë tentuar të formojnë enklava anti-Hamas, me ndihmë dhe mbështetje të mundshme nga Izraeli, sipas burimeve lokale.

Hussam al-Astal, një prej drejtuesve të njërit prej këtyre grupeve, publikoi një video-deklaratë, duke mohuar raportimet se Hamas kishte vrarë një komandant të milicisë anti-Hamas në veri të Gazës.

Ky zhvillim tregon për një dinamikë të re të brendshme të dhunshme në Rripin e Gazës, teksa Hamas përpiqet të rikonsolidojë autoritetin e tij në një territor të rrënuar nga lufta dhe i mbushur me struktura rivale që po kërkojnë hapësirë politike e ushtarake pas armëpushimit.

Kategoritë
BotaLajme