Grupi i Vishegradit sërish në duart e të djathtëve: Blloku prorus gjen aleatin e ri në Andrej Babishin

Në Çeki fundjavën e kaluar u mbajtën zgjedhjet për përbërjen e re të parlamentit, dhe tema kryesore ishte rikthimi i madh i partisë ANO dhe liderit të saj, kandidatit të mundshëm për kryeministër, Andrej Babiš. Në një kontekst më të gjerë, kjo fitore sinjalizon një rikthim të mundshëm të Grupit të Vishegradit, që përbëhet nga Çekia, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia. Grupi i Vishegradit u themelua në vitin 1991, kur këto vende u çliruan nga zgjedhat prosovjetike dhe regjimet komuniste.

Bashkëpunimi i tyre ishte veçanërisht i rëndësishëm, sidomos në vitin 2015, kur udhëheqësit e atëhershëm të këtyre vendeve dhanë një përgjigje të përbashkët ndaj krizës së refugjatëve që tronditi Evropën. Në atë kohë, në të katër shtetet ishin në pushtet të djathtët, të cilët e shndërruan krizën e refugjatëve në një rebelim të hapur ndaj Brukselit, duke fituar pikë politike në planin e brendshëm.

Pushtimi rus në Ukrainë krijoi dy blloqe

Edhe pse grupi vazhdoi të ekzistonte formalisht, marrëdhëniet mes vendeve anëtare, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, u dobësuan dukshëm.

Brenda grupit të katër shteteve u krijuan dy blloqe. Njërin e përbënin kryeministrat e Sllovakisë dhe Hungarisë, Robert Fico dhe Viktor Orban, ndërsa në anën tjetër qëndruan Polonia dhe Çekia, nën drejtimin e Donald Tusk dhe Petr Fiala.

Nga njëra anë, Fico dhe Orban mbanin një qëndrim në dukje neutral, por me tone qartësisht proruse, ndërsa Fiala dhe Tusk mbronin mbështetjen e fuqishme për Ukrainën. Që nga viti 2022, Grupi i Vishegradit ishte de facto i përçarë.

Rikthimi i Babišit, i cili me shumë gjasa do ta zëvendësojë Fialën, sugjeron se blloku i djathtë brenda grupit të Vişegradit do të forcohet më tej. Kështu, siç pritet, Tusk do të mbetet i izoluar, ndërsa Orban dhe Fico do të fitojnë një aleat të fuqishëm në Pragë.

Babiš tashmë ka paralajmëruar se do ta ndryshojë qëndrimin e qeverisë çeke ndaj Ukrainës — një sinjal i qartë se vendi do të ndjekë rrugën e Ficës dhe Orbanit, të cilët shihen si “lojtarët” më të mëdhenj proruse në Evropë.

Rusia mund të festojë, por jo për shumë gjatë

Një aspekt interesant në dinamikën e këtij grupi është pozicioni i Polonisë. Ministri aktual i jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, publikisht ka thënë se vendi duhet t’i kthehet “Trekëndëshit të Weimar-it”, që përfshin Poloninë, Francën dhe Gjermaninë, dhe të thellojë bashkëpunimin me SHBA-në.

Një qëndrim të ngjashëm, megjithëse me ton tjetër, ka edhe presidenti i ri polak, Karol Nawrocki. Edhe pse është pjesë e krahut të djathtë polak, Nawrocki është kritik i ashpër ndaj Rusisë, mbështet Ukrainën dhe ka marrëdhënie të ngushta me presidentin aktual amerikan Donald Trump, i cili madje e priti në Shtëpinë e Bardhë para se të fitonte zgjedhjet.

Megjithëse në Moskë do të festohet fitorja e Babišit dhe ardhja e një aleati të ri në këtë grup, mbetet për t’u parë cili do të jetë qëndrimi zyrtar i Budapestit vitin e ardhshëm.

Orban, i cili është në pushtet që nga viti 2010, me shumë gjasa do të humbasë zgjedhjet e ardhshme, nëse i besojmë sondazheve që prej muajsh tregojnë rënie serioze të mbështetjes për Fideszin dhe rritje të partisë opozitare Tisza, lideri i së cilës, Peter Magyar, ka qëndrim ndryshe ndaj Ukrainës dhe Rusisë.

Cila është e ardhmja e Grupit të Vishegradit?

Duke marrë parasysh të gjitha këto zhvillime, mbetet pyetje e madhe se si do të duket e ardhmja e këtij grupi katërsh.

Ndërsa fuqinë afatshkurtër do ta marrin forcat proruse, që tani kontrollojnë tre nga katër vendet, e ardhmja mund të sjellë një tablo krejt tjetër.

Edhe pse Fico do të mbetet në pushtet të paktën edhe dy vite të tjera — pasi zgjedhjet në Sllovaki priten në vitin 2027 — humbja e mundshme e Orbanit do të rikthejë një ekuilibër që fitorja e Babišit e prishi.

Në të njëjtin vit me Sllovakin, do të mbahen zgjedhjet edhe në Poloni, ku Tusk do të duhet të mbrojë shumicën e tij parlamentare relativisht të brishtë. Megjithatë, është e pamundur që edhe nëse fiton partia e djathtë PiS, Kremlini të gjejë aty një aleat, duke pasur parasysh qëndrimin e qartë të shumicës së polakëve për mbështetjen e Ukrainës.

Po ashtu, duhet theksuar edhe natyra e paqëndrueshme e Babišit, i cili shpesh ka ndryshuar qëndrime gjatë karrierës politike, ndaj nuk përjashtohet mundësia që edhe ai “të kthejë pllakën” dhe të qëndrojë në anën e Polonisë dhe të qeverisë së re të mundshme në Hungari.

Grupi i Vişegradit, siç pritet, do të vazhdojë të ekzistojë me një notë më të fortë proruse dhe të djathtë, por fuqia e tij — që u dëshmua fuqishëm në vitin 2015 — është e dyshimtë. Pa Poloninë si anëtare aktive dhe udhëheqëse, ndikimi i vendeve të tjera të grupit mbetet i kufizuar.

Fitorja e Babišit në Çeki i dha arsye për festë të djathtëve dhe Moskës, por rikthimi i unitetit dhe forcës së vitit 2015 duket pothuajse i pamundur.

Kategoritë
BotaLajme