“Në epokën e teknologjisë, na kanë kthyer një milion vjet prapa, as njerëzit e Epokës së Gurit nuk e kanë parë atë që kemi parë ne”, tha Majida al-Yaqoubi
Pas armëpushimit në Gaza, Majida al-Yaqoubi (40), një grua me origjinë marokene që u kthye në shtëpinë e saj të shkatërruar në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, skenën që pa ajo e përshkroi me fjalët “Në epokën e teknologjisë, na kanë kthyer një milion vjet prapa, as njerëzit e Epokës së Gurit nuk e kanë parë atë që kemi parë ne”, raporton Anadolu.
Faza e parë e planit të armëpushimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Gaza hyri në fuqi më 10 tetor dhe me tërheqjen e ushtrisë izraelite në zonën e “Vijës së Verdhë”, palestinezët po kthehen në zonat e tyre, ndërsa po gjejnë vetëm rrënoja në vend të shtëpive të tyre.
Ndërsa gjakderdhja është ndalur për momentin me armëpushimin, vuajtjet e palestinezëve vazhdojnë mes rrënojave në Gaza, të cilën Izraeli e ka rrafshuar.
Yaqoubi dhe familja e saj janë ndër banorët e Gazës që po përjetojnë këtë problem. Duke bredhur nëpër rrënojat e shtëpisë së tyre në lagjen Al-Katibah të qytetit Khan Younis, duke kërkuar edhe shenjën më të vogël të jetës, Yaqoubi pyeti me dëshpërim “Si do të jetojmë mes këtyre rrënojave?”.
– Shtëpi dhe jetë të kthyera në rrënoja
Yaqoubi, një marokene që u martua me një palestinez në vitin 2007 dhe u vendos në Gaza, ka përjetuar çdo sulm ndaj Gazës që atëherë.
Kur filluan sulmet në tetor 2023, ajo donte të largohej nga Gaza. Ajo kontaktoi familjen e saj në Francë për ribashkim familjar dhe punësoi një avokat, por nuk mundi ta bënte këtë sepse nuk mund të përballonte 6.000 dollarët e nevojshëm për të kaluar kufirin.
Pavarësisht armëpushimit dhe tërheqjes së ushtrisë izraelite, lufta e vërtetë ka filluar pas kësaj tha Yaqoubi.
“Kur erdha këtu, ndjeva sikur kisha parë skena të apokalipsit. U kthyem në shtëpi dhe kërkuam të shihnim se çfarë mund të riparonim, nëse mund të gjenim ndonjë mënyrë për mbijetesë, por këtu nuk ka jetë. Si do të jetojmë mes këtyre rrënojave dhe mbeturinave? Tavani është shembur, muret janë shembur dhe nëse do të donit një shishe ujë, ku do ta merrnit?, thotë ajo duke shtuar:
“Ne donim që lufta të mbaronte dhe që të gjithë të ktheheshin në shtëpi. U kthyem në shtëpi, por kuptuam se nuk kishte asgjë për të riparuar edhe nëse do të donim. E gjithë Gaza është e shembur. Ne duam një zgjidhje rrënjësore dhe të shpejtë. Nëse ky shkatërrim mbetet kështu, edhe psikologjia jonë do të shkatërrohet”.
– “Situata e njerëzve të Epokës së Gurit pak më mirë se ajo e banorëve të Gazës”
Yaqoubi tha se ata janë sprovuar me dhunën më të rëndë dhe urinë më të rëndë gjatë gjenocidit dyvjeçar që Izraeli i ka shkaktuar Gazës.
“Na bënë të humbnim njerëzimin tonë. Dhuna që pësuam ishte dhunë që nuk mund të zbatohet as ndaj ndonjë kafshe. Në epokën e teknologjisë, zhvillimit dhe inteligjencës artificiale, ata na kanë kthyer një milion vjet prapa. As njerëzit e Epokës së Gurit nuk e kanë parë atë që kemi parë ne”, tha Yaqoubi duke shprehur pikën që kjo dhunë i ka sjellë atyre.
Ajo e përshkroi urinë që kanë përjetuan në Gaza me fjalët: “Nuk kisha përjetuar kurrë uri në jetën time (por e përjetova në këtë luftë). Hëngra bukë të bërë me miell që kishte krimba, e bëra këtë për të mos vdekur. Hëngra oriz me krimba dhe ushqime të konservuara të skaduara. Vuaja nga problemet e lëkurës. Kaluam infeksione të vazhdueshme të zorrëve. Na u desh të ndanim një bukë të vogël në gjashtë copa”.