Greta Thunberg rrëfen ‘torturën’ në Izrael: Më goditën, më shkelmuan – disa i privuan nga uji dhe gjumi

Aktivistja suedeze ka ndarë detaje të pesë ditëve që kaloi në robëri izraelite, pasi ushtria ndaloi flotën e anijeve që shkonte për në Gaza, së cilës ajo i ishte bashkuar. Në një intervistë me gazetën suedeze Aftonbladet, të botuar sot, Thunberg tha se ishte “goditur dhe shkelmuar” nga ushtarët me të mbërritur në Izrael.

“Ata ma grisën kapelen prej bretkose, e hodhën në tokë, e shkelën me këmbë dhe e shqelmuan, dhe në një farë mënyre shpërthyen në tërbim”, tha Thunberg, duke shtuar se ushtarët po bënin fotografi me të.

Disa aktivistë u mbajtën më vonë në kafaze të jashtme pavarësisht vapës, duke bërë që disa prej tyre të humbnin ndjenjat, tha ajo. Thunberg gjithashtu akuzoi rojet se refuzuan ujë dhe i privuan të burgosurit nga gjumi.

Ajo tha se raportet e mëparshme se ishte e mbështjellë me një flamur izraelit ishin të vërteta. Intervista përfshin imazhe të valixheve të Thunberg me fjalët ‘Kurva Greta’ të shkruara mbi to, pranë vizatimeve të një flamuri izraelit dhe organeve gjenitale mashkullore, të cilat ajo ia atribuon rojeve izraelite.

Thunberg kishte pretenduar më parë se ishte torturuar (gjë që qeveria izraelite e mohon), por tha se nuk donte të ndante detaje për momentin në mënyrë që të mos largonte vëmendjen nga Gaza.

Flotilla Globale Sumud kishte transportuar ndihma për territorin, me qëllim që të tërhiqte vëmendjen ndaj bllokadës detare të Izraelit.

Trupat izraelite e kapën atë përpara se të arrinte në bregdet, duke arrestuar rreth 450 aktivistë.

Kategoritë
BotaLajme