Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Ekonomia Online.
Dëshmitari Hasan Kerolli, ekspert për analiza të tregut dhe tregtim të energjisë në KEK, deklaroi se deri në vitin 2022, tregtimi i energjisë është bërë edhe me kompani të huaja të licencuara nga shtete evropiane, pasi nuk kishte ndalim të tillë nga ZRRE.
Ai sqaroi se pas një njoftimi nga ZRRE në vitin 2022, tregtimi është kufizuar vetëm me kompani të licencuara në Kosovë apo Shqipëri.
“Prej prill 2017 punoj në KEK, nga atëherë kam pas pozitën e njëjtë deri tani. Gjatë kësaj periudhe, për të dalë në pyetje prokurori, kam kryer detyra sikur më herët dhe tani, si janë shit-blerjet e energjisë me KESCO, KEDS, KOSTT dhe kompani të tjera tregtare që mbesin teprica të energjisë që nuk i marrin palët paraprake që i përmenda. Janë çështje teknike. KEK tregtim e energjisë deri në dhjetor të 2021 ka bërë vetëm teprica, ka bërë shitjen e energjisë dhe nuk ka bërë import deri në atë kohë. Në dhjetor të vitit 2021 kemi filluar edhe me blerje të energjisë, qoftë për nevoja të KEK në raste kur kemi pas rënie të paplanifikuar të njësive të KEK, por edhe për blerje të energjisë për shërbim universal. Për KESCO, e cila ka ardhur me vendim nga Qeveria e Kosovës. Blerja ka filluar, nëse nuk gaboj, rreth datës 22 dhjetor. Kemi vazhduar fillimisht për KESCO deri më 10 janar 2022, pastaj kemi blerë edhe më 21-22 janar, pastaj ka filluar KESCO dhe ka bërë blerjen e energjisë në bazë të vendimit të energjisë dhe shitje e energjisë, varësisht kur kemi pas teprica. Deri në vitin 2022 kemi vazhduar me kompani që kanë qenë të regjistruara në Kosovë dhe kanë pas licencë nga shtetet evropiane.”
Kerolli tha se përkundër këtij njoftimi, ka marrë udhëzime nga menaxhmenti i KEK-ut që të vazhdohet tregtimi me kompanitë ekzistuese.
“Deri në vitin 2022 nuk kemi pas ndonjë njoftim nga ZRRE që është e ndaluar. Ka qenë mund të bëjmë tregtim me kompani që kanë licencë në vendet e rajonit dhe evropian. Në vitin 2022, Zyra për Tarifa dhe Çështje Rregullative, e cila ka pas dhe ka komunikim me ZRRE, ka pranuar njoftimin që me ndërpre tregtimin me të gjitha kompanitë që nuk janë të regjistruara në Kosovë ose nuk kanë licencë apo memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë. Pastaj, drejtori i Zyrës për Tarifa iu ka drejtuar ZRRE ku kemi qenë unë dhe kolegu dhe ka kërkuar që me njoftuar se cilat kompani janë të licencuara. Pastaj ka ardhur njoftimi nga ZRRE dhe ka njoftuar që tregtim mund të bëni vetëm me kompanitë e regjistruara në Kosovë dhe Shqipëri. Pasi e kemi pranuar njoftimin nga ZRRE, i jam drejtuar drejtorit operativ, Luigj Imerit, përfshirë ka qenë Edmond Llulleshi dhe kryeshefi Nagip Krasniqi, drejtori Kujtim Hoxha, kolegu Graniti. Kam kërkuar se si me vepru pas njoftimeve nga ZRRE, se si me vepru me kompanitë që nuk janë të licencuara në Kosovë dhe Shqipëri, dhe kam marrë përgjigje nga Edmond Llulleshi për arsye se gjatë asaj kohe për çështje të tregtimit ka qenë duke e zëvendësuar Luigj Imerin. Në këtë rast, na ka udhëzuar me të gjitha kompanitë si kemi vepruar deri më tani, deri në një njoftim të radhës. U kërkua që cilat kompani që nuk janë të licencuara në Kosovë dhe Shqipëri dhe i kam njoftuar që vetëm një kompani që nuk ka pas licencë ka qenë Holding Slovenske
Ai konfirmoi se edhe Nagip Krasniqi ishte në dijeni për komunikimet dhe udhëzimet në fjalë.
“Nuk ka pas licencë në Kosovë dhe Shqipëri. Pas dy apo tri ditësh kemi pas një garancion bankar që selinë e ka pas të licencuar në Kosovë dhe Shqipëri. Nuk kemi pas kontratë të nënshkruar dhe kam marrë përgjigje: vazhdoni tregtimin siç kemi vazhduar me të gjitha kompanitë dhe kemi vazhduar deri pas një viti dhe atëherë Luigji ka marrë vendim me i ndërmarrë të gjitha tregimet me kompanitë që nuk janë të licencuara në Kosovë dhe Shqipëri. Paraprakisht, kompanitë duhet të plotësojnë dosjen e parakualifikimit, e cila ka disa kushte. Disa prej tyre janë të ketë licencë nga ZRRE apo të jetë e njohur nga ZRRE, të ketë certifikatën që është e regjistruar, të sjellë dëshmi nga gjykata se nuk është e dënuar për vepra penale, se nuk është i dënuar biznesi, t’i ketë të nënshkruara… Kriter kryesor është rregullat me KOSTT, licencë e njohur apo lëshuar nga ZRRE, biznesi të jetë aktiv.”