Gjykata e Lartë Administrative në Gjermani (OVG) ka vendosur se autoritetet nuk mund t’u ndalojnë paraprakisht demonstruesve propalestinezë shprehjen e qëndrimeve që mohojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, duke theksuar se një qëndrim i tillë, në vetvete, mbrohet nga liria e shprehjes.
Vendimi erdhi pas ndalimeve të vendosura fundjavën e kaluar nga Policia e Düsseldorf-it gjatë protestave, ku organizatorëve u ishte ndaluar, ndër të tjera, edhe mohimi i së drejtës shtetërore të Izraelit.
Me këtë aktgjykim, OVG rrëzoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës Administrative të Düsseldorf-it, e cila kishte mbështetur masat policore.
Gjykata: Kritika ndaj rendit shtetëror është pjesë e lirisë së mendimit
Gjykata theksoi se mohimi i përgjithshëm i ekzistencës së shtetit të Izraelit nuk paraqet vepër penale dhe se shqyrtimi kritik i mënyrës së krijimit të Izraelit, si edhe kërkesat për ndryshime paqësore të rendit aktual, konsiderohen si qëndrime të mbrojtura me ligj.
Dallime mes parullave të përdorura në protesta
OVG bëri dallime specifike ndërmjet disa parullave të përdorura nga protestuesit.
Sipas vendimit, parulla “There is only one state – Palestine 48” nuk mund të ndalohet, pasi – siç thekson gjykata – nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me ideologjinë e Hamasit, organizatë e ndaluar në Gjermani. Parulla i referohet vitit 1948, vit kur u shpall shteti i Izraelit.
Nga ana tjetër, ndalimi i thirrjes “Yalla, yalla, Intifada” konsiderohet i justifikuar, pasi në kontekstin e konfliktit aktual në Gaza, kjo thirrje nuk mund të interpretohet vetëm si një apel për protestë paqësore.
Lidhur me parullën “From the river to the sea”, gjykata vlerësoi se në një procedurë të shpejtë nuk mund të përcaktohet qartë nëse ajo përfaqëson simbolikë të Hamasit. Megjithatë, gjykata konsideroi se interesi publik për ndalimin e përkohshëm të saj ka më shumë peshë. Kjo parullë, e përdorur historikisht që nga vitet ’60, nënkupton konceptin e çlirimit të plotë të Palestinës – nga lumi Jordan deri në Detin Mesdhe – duke përfshirë territorin e sotëm të Izraelit.
Vendimi i gjykatës është përfundimtar dhe nuk lejohet ankesë.











