Berlini shpreh mbështetje për përpjekjet diplomatike, por mbetet skeptik se si do të përgjigjet Putini këtë herë
Gjermania shprehu mbështetje për përpjekjen e ripërtërirë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për një armëpushim në Ukrainë ndërsa shprehu skepticizëm lidhur me gatishmërinë e presidentit rus, Vladimir Putin për t’u angazhuar në negociata kuptimplote, transmeton Anadolu.
Zëvendëszëdhënësi i qeverisë, Steffen Meyer në një konferencë për mediat në Berlin tha se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Ukrainën, si për t’u mbrojtur nga Rusia ashtu edhe për të siguruar pozicion të fortë në negociatat e mundshme për zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
“Mbështesim të gjitha përpjekjet, veçanërisht ato të presidentit amerikan Trump, për të vënë përsëri në lëvizje procesin e paqes. Ne e mbështesim këtë. Ne jemi në dialog të vazhdueshëm për këtë me partnerët evropianë, por edhe me administratën amerikane. Është urgjentisht e nevojshme të ndiqet një rrugë drejt një paqeje të drejtë”, u tha Meyer gazetarëve.
Megjithatë, ai theksoi se qeveria gjermane mbetet skeptike nëse kjo iniciativë e re do të ketë sukses, duke treguar përgjigjen e presidentit rus Putin ndaj përpjekjeve të mëparshme, të tilla si vendosja e kushteve të ashpra dhe intensifikimi i bombardimeve në Ukrainë.
“Javët dhe muajt e fundit kanë treguar me siguri se ekziston një person që qartësisht nuk kishte interes të ndiqte seriozisht këtë proces paqeje, dhe ai person është Vladimir Putin”, tha ai.
Trump tha të enjten se planifikon të takohet me Putinin në Hungari brenda dy javësh për bisedime mbi përfundimin e luftës në Ukrainë. Ai tha se një takim midis sekretarit të Shtetit, Marco Rubio dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov do të mbahet para kësaj.
Të dy takimet u njoftuan publikisht pasi Trumpi dhe Putini përfunduan një telefonatë dypalëshe më herët të enjten.