Gjermanët gjithnjë e më shumë zgjedhin të ecin në vend që të përdorin veturën: Trend veçanërisht interesant te të moshuarit mbi 80 vjeç

Një studim i realizuar nga Universiteti Teknik i Dresdenit ka zbuluar se sjellja e gjermanëve në trafik po ndryshon ndjeshëm, veçanërisht në qytetet e mëdha. Një numër në rritje i qytetarëve po zgjedhin të ecin në vend që të përdorin makinën.

Ndërsa në zonat rurale vetura mbetet mjeti më i rëndësishëm i transportit, në qytete ajo po humb rëndësinë. Përdorimi i makinës në qytete ka rënë nga 31% në vitin 2018 në 26% në vitin 2023, kur edhe është kryer studimi. Në qytetet e vogla dhe fshatra, përdorimi i makinës është rritur lehtë.

Gjermanët ecin më shumë

Pjesëmarrja e ecjes si mënyrë transporti është rritur dukshëm në qytetet e mëdha – nga 28% në 33%. Gjithashtu, është vërejtur një rritje e lehtë e përdorimit të biçikletës. Sipas autorëve të studimit, kjo ndërlidhet me efektet e pandemisë së koronavirusit, të cilat ende ndiheshin në vitin 2023.

Gjatë pandemisë u zvogëlua numri i atyre që udhëtonin me makinë për në punë, dhe u rrit ndjeshëm puna nga shtëpia. Ndërkohë, përdorimi i transportit publik ka pësuar vetëm ndryshime të vogla.

Të moshuarit – më mobilë se më parë

Studimi gjithashtu tregon se gratë, veçanërisht ato të moshës 30 deri 50 vjeç, janë dukshëm më të lëvizshme sesa burrat – ato përshkojnë distanca më të gjata në baza ditore, gjë që lidhet me rutinën e ndërlikuar ditore, si kujdesi për fëmijët dhe blerjet.

Nga ana tjetër, mobiliteti te të rinjtë ka rënë, sidomos te ata në të njëzetat. Por të moshuarit po bëhen gjithnjë e më aktivë. Numri i personave mbi 80 vjeç që posedojnë leje drejtimi nuk ka qenë kurrë më i lartë se në vitin 2023.

Ky studim u zhvillua nga shkurti 2023 deri në mars 2024 dhe përfshiu 282,000 persona nga e gjithë Gjermania, raporton Tagesschau.

Kategoritë
BotaLajme