Një masakër e përgjakshme ka tronditur Sudanin pasi Forcat për Mbështetje të Shpejtë (RSF) dyshohet se kanë vrarë qindra civilë në spitalin saudit të qytetit El-Fasher, vetëm disa ditë pas marrjes nën kontroll të qytetit pas një rrethimi 18-mujor.
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se agjencia e OKB-së është “e tmerruar dhe thellësisht e tronditur” nga raportet për vrasjen e 460 personave brenda spitalit.
Sipas Rrjetit të Mjekëve Sudanezë, luftëtarët e RSF-së kanë “ekzekutuar me gjakftohtësi të gjithë ata që gjendeshin në spital – pacientë, shoqërues dhe personel mjekësor.” Mjekët e përshkruan spitalin si “një thertore njerëzish” dhe njoftuan për rrëmbimin e gjashtë punonjësve shëndetësorë, përfshirë katër mjekë, një farmacist dhe një infermiere, për të cilët thuhet se kërkohet shpërblim mbi 150 mijë dollarë.
Spitali i kthyer në vend krimi
Komiteti i Rezistencës së El-Fasherit, një grup aktivistësh lokalë, konfirmoi sulmin të martën dhe raportoi se pas ngjarjes “mbretëroi një heshtje e frikshme”.
Qyteti ishte bastioni i fundit i ushtrisë sudaneze në rajonin e Darfurit, ndërsa RSF e mori plotësisht kontrollin gjatë fundjavës pas muajsh urie dhe bombardimesh të rënda.
Që nga prilli i vitit 2023, kur filloi konflikti mes ushtrisë dhe RSF-së, mijëra civilë janë vrarë, ndërsa grupet arabe aleate të RSF-së janë akuzuar për sulme ndaj komuniteteve jo-arabe – akuza që RSF i mohon. Me rënien e El-Fasherit, rreth 250.000 persona, shumica nga grupet jo-arabe, janë bllokuar në qytet pa ushqim e pa mjekime.
Video dëshmi dhe dëshmitarë të mbijetuar
Sipas hetimit të BBC Verify, pamje të reja të publikuara në rrjete sociale tregojnë luftëtarë të RSF-së duke ekzekutuar civilë të paarmatosur në ditët e fundit.
Banorë që kanë mundur të arratisen drejt qytetit Tawila, rreth 60 km në perëndim, kanë përshkruar dhunë ekstreme dhe grabitje gjatë rrugës.
“Granatimet ishin aq të rënda sa nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të iknim. Na rrahën, na plaçkitën dhe disa nga ata që u kapën më pas u ekzekutuan,” – tregoi një i mbijetuar për BBC Arabic.
OKB: “Sudani, vendi më i rrezikshëm në Tokë”
Ish-zyrtari i lartë humanitar i OKB-së, Jan Egeland, e përshkroi situatën si “katastrofale”.
“Kemi parë masakra, urinë dhe mungesë të plotë kujdesi mjekësor. Ky është vendi më i tmerrshëm në planet,” – tha ai.
Sipas OBSh-së, që nga fillimi i luftës janë konfirmuar 185 sulme ndaj institucioneve shëndetësore, me mbi 1.200 të vdekur.
“Të gjitha sulmet ndaj kujdesit shëndetësor duhet të ndalen menjëherë. Pacientët dhe mjekët duhet të mbrohen sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare. Ne kërkojmë armëpushim të menjëhershëm,” – apeloi Tedros.
Kontrolli i territorit
Marrja e El-Fasherit nga RSF praktikisht e ndan Sudanin në dy pjesë: paramilitarët tani kontrollojnë pjesën më të madhe të Darfurit dhe Kordofanit, ndërsa ushtria mban Khartoumin dhe rajonet lindore pranë Detit të Kuq.
Të dy grupet ishin dikur aleatë – morën pushtetin me grusht shteti në vitin 2021 – por u përplasën më pas për planin e kalimit drejt një qeverie civile të mbështetur ndërkombëtarisht.















