Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, njoftoi se, duke marrë parasysh situatën aktuale, kanë pezulluar rinovimin automatik të marrëveshjes së mbrojtjes me Izraelin.
Shtetet po vazhdojnë t’i kthejnë shpinën Izraelit…
Në këtë kuadër, një hap i tillë erdhi edhe nga Italia.
MARRËVESHJET E MBROJTJES U PEZULLUAN
Gjatë një vizite në një panair në Verona, Meloni deklaroi: “Qeveria, në dritën e situatës aktuale, ka vendosur të pezullojë rinovimin automatik të marrëveshjes së mbrojtjes me Izraelin.”
Meloni gjithashtu e cilësoi si “të papranueshme” deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump ndaj kreut të Vatikanit, Papa Leo XIV.
Ndërkohë, sipas agjencisë italiane ANSA, ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto i ka dërguar homologut izraelit Israel Katz një letër për pezullimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.
MARRËVESHJA NË FUQI QË NGA VITI 2016
Marrëveshja përfshinte bashkëpunimin në fushën e pajisjeve ushtarake dhe kërkimeve teknologjike dhe ishte në fuqi që nga 13 prilli 2016, me rinovim çdo 5 vjet.
Partitë opozitare, sindikatat dhe organizatat e shoqërisë civile në Itali kishin bërë prej kohësh thirrje për ndërprerjen e kësaj marrëveshjeje.
TENSIONE MES ITALISË DHE IZRAELIT PËR SHKAK TË LIBANIT
Marrëdhëniet Itali–Izrael janë tensionuar së fundmi pas të shtënave të ushtrisë izraelite ndaj autokolonave të ushtarëve italianë në kuadër të misionit të UNIFIL në Liban.
Në incidentet e 8 dhe 12 prillit, mediat raportuan se ushtria izraelite hapi zjarr paralajmërues ndaj këtyre autokolonave.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani kishte thirrur ambasadorin izraelit në Romë, Jonathan Peled, pas incidentit të 8 prillit.
Së fundmi, gjatë një vizite në Bejrut, Tajani deklaroi se kishte shkuar në Liban për të treguar solidaritet ndaj sulmeve “të papranueshme” të Izraelit ndaj civilëve, gjë që shkaktoi reagimin e Izraelit.
Ministria e Jashtme e Izraelit thirri ambasadorin italian në Tel Aviv, Luca Ferrari, për të protestuar ndaj këtyre deklaratave.










