Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për GazetaBlic, lidhur me premtimin e z. Kurti për të ndihmuar studentët me nga 100 euro, tha se vetëdija e studentëve në Kosovë është shumë më e lartë dhe më e ngritur sesa mendon politika.
Gërxhaliu theksoi se, në kohën në të cilën ndodhemi – në prag të fushatës zgjedhore – ky është një akt manipulimi me të rinjtë. Ai shtoi se, për faktin që ende nuk kemi një Qeveri të formuar pas zgjedhjeve të 12 shkurtit, ekzekutivi në detyrë nuk ka të drejtë ligjore apo kushtetuese të ndërmarrë veprime të tilla.
“100 eurot e premtuara dje për studentët e Kosovës janë një akt që duhet analizuar në disa dimensione. Në dimensionin politik, po ndodh në një kohë kur Kosova nuk ka institucione të reja dhe nuk ka të drejtë ky grupacion i politikanëve të vendosë dhe të marrë përgjegjësi të tilla. Besoj që kjo do të jetë sfiduese edhe për vetë prokurorinë.”
Sipas tij, edhe nëse qëllimi është të ndihmohen studentët, momenti i shpërndarjes së mjeteve është një kalkulim politik, një përpjekje për të joshur votën e të rinjve në favor të partisë në pushtet
“Jemi në një fushatë zgjedhore, dhe edhe nëse ka një qëllim të mirë për të mbështetur studentët, është një tentativë për të joshur të rinjtë që të votojnë partinë politike të Qeverisë aktuale në detyrë.”
Tutje, Gërxhaliu shtoi se me këto ndihma nuk është bërë as zgjidhje e as përmirësim real i mirëqenies sociale apo stabilitetit ekonomik për studentët.
“Mos të mendojnë që me këto 100 euro ndërtohet diçka afatgjatë. Është më shumë një përpjekje për të motivuar votën e të rinjve, sesa për të ndihmuar ata të krijojnë pavarësi ekonomike e sociale. Studentët kosovarë kanë nevojë për profesorë elitarë, për partneritet strategjik, për frymë evropiane – pa sanksione dhe masa ndëshkuese. Kanë nevojë për dialog, për një qasje më pozitive që t’i bëjë të besojnë se e ardhmja e tyre është në Kosovë. Nuk mund të manipulohet me studentë dhe të rinj me vendime të tilla.”
Në fund, Gërxhaliu theksoi se vota nuk blihet, por fitohet me merita.
“Ky duhet të jetë një mesazh për politikanët – sepse populli vëzhgon dhe nuk harron. I sheh të gjitha proceset, si ato negative, ashtu edhe ato pozitive. Në fund, sovrani vendos, qoftë për të ndëshkuar, qoftë për të shpërblyer.”