Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalimin e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, theksoi se Republika e Kosovës është një shtet i fortë, me demokraci perëndimore dhe ekonomi të qëndrueshme, raporton Ekonomia Online.
Ajo përmendi se zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 2025 janë vlerësuar si të lira dhe të ndershme nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa rritja ekonomike mbetet ndër më të lartat në Evropë.
“Shteti i Republikës së Kosovës është i fortë. Forca jonë buron nga njerëzit tanë, nga demokracia jonë perëndimore dhe nga ekonomia jonë e fuqishme. Këtë vit kemi zhvilluar zgjedhje demokratike për Kuvendin Kombëtar, të cilat janë vlerësuar nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë si të lira dhe të ndershme. Gjithashtu, në tetor kemi pasur zgjedhje demokratike lokale, të cilat po ashtu u zhvilluan në mënyrë të lirë dhe të drejtë. Për herën e pestë radhazi, Banka Botërore e ka renditur Kosovën ndër udhëheqëset kryesore të rritjes ekonomike në gjithë Evropën. Ndërsa vendet e tjera po përballen me sfida, parashikimi për rritjen tonë ekonomike mbetet rreth 4% në vit, si për vitin 2025 ashtu edhe për 2026. Investimet e huaja direkte janë në rritje, po ashtu edhe të ardhurat doganore dhe tatimore. Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, me 94 nga 100 pikë. Ky është rezultat i punës, përkushtimit dhe energjisë së njerëzve të shtetit më të ri në Evropë, me popullsinë më të re dhe me mendësinë më optimiste, siç e tregojnë sondazhet ndërkombëtare”, deklaroi Gwrvalla.
Ajo hodhi poshtë termin “Kosovë dhe Metohi”, duke e cilësuar si një shprehje të ambicieve hegjemoniste të Serbisë dhe si gjuhë të trashëguar nga regjimi i Millosheviqit. “Kosova nuk është histori, është e tashmja – dhe Serbia sot paraqet një kërcënim real për rajonin”, theksoi Gërvalla.
Ministrja paralajmëroi për propagandën e përhapur nga mediat e kontrolluara nga Beogradi dhe për retorikën që, sipas saj, përgatit terrenin për agresion të mundshëm ndaj Kosovës.
“Dua ta bëj të qartë: nuk ekziston “Kosovë në Metohi”. Nuk ekziston, zonja dhe zotërinj. Shprehja “Kosovë në Metohi” është një shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën. Thënë më thjeshtë, është gjuha e vjetër e Slobodan Millosheviqit dhe e atyre që ende e ndjekin atë. Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkanin Perëndimor. Mbështetja për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara në vendin tonë është në nivelin 90%. Ne jemi vendi më pro-NATO dhe më pro-amerikan në botë. Ne u shpëtuam nga një gjenocid në vazhdim nga bota e civilizuar, përmes ndërhyrjes së NATO-s. Rreth 13,000 njerëz u vranë nga mizoritë serbe, të nxitura nga krimineli i luftës, Presidenti Millosheviq. Dhe gjatë atij gjenocidi, presidenti i tij ishte z. Vuçiq, i cili sot është president i Serbisë. Prandaj, nuk po flasim për histori, por për të tashmen. Në të tashmen, Serbia paraqet një kërcënim real për rajonin. Ne shohim çdo ditë propagandën e pamëshirshme të mediave të kontrolluara nga Vuçiq, e cila përhap urrejtje në mënyrë sistematike, duke helmuar shoqërinë serbe. Dhe shohim përhapjen e qëllimshme të propagandës që përgatit një agresion ushtarak kundër vendit tonë. Nëpër Serbi mund të shihen grafite dhe murale të mëdha që përçojnë këtë mesazh”, theksoi Gwrvalla.