Pas një nate të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve me plot 43 gola në nëntë ndeshje, edhe sonte spektakli vazhdoi me dy duelet e para të mbrëmjes.
Galatasaray, që në xhiron e kaluar kishte mposhtur favoritët e Liverpool-it në Rams Park, sonte në Stamboll triumfoi edhe ndaj kampionit norvegjez Bodo Glimt me rezultat 3:1, duke siguruar gjashtë pikë në tri ndeshjet e para dhe duke mbajtur gjallë ëndrrën për fazën me eliminim direkt.
Hero i ndeshjes ishte Victor Osimhen, i cili shënoi dy herë – në minutën e 3-të dhe të 33-të – duke i dhënë epërsinë 2:0 Galatasarayt në pjesën e parë. Në fillim të pjesës së dytë Yunus Akgün vulosi fitoren me golin e tretë, ndërsa për mysafirët shënoi Andreas Helmersen në minutën e 76-të për rezultatin përfundimtar 3:1.
Tifozët vendas krijuan edhe një herë atmosferë të zjarrtë, karakteristike për ndeshjet e Galatasarayt në Ligën e Kampionëve. Përveç mbështetjes së zjarrtë për ekipin e tyre, ata shfrytëzuan rastin për të dërguar një thirrje botës që të ndalë gjenocidin në Gaza.
Në ndeshjen tjetër të programit, Athletic Bilbao përmbysi rezultatin ndaj Qarabag-ut nga Azerbajxhani dhe fitoi 3:1, duke i dhënë fund fillimit përrallor të mysafirëve që kishin grumbulluar gjashtë pikë në dy xhirot e para. Qarabag kaloi në epërsi që në minutën e parë me golin e Leandro Andrade-s, por vendasit barazuan me Gorka Guruzetën në minutën e 40-të.
Në pjesën e dytë, Robert Navarro shënoi për 2:1 në minutën e 70-të, ndërsa Guruzeta vulosi fitoren me golin e dytë personal në minutën e 88-të. Këta ishin pikët e para të Bilbaos në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, duke u ngjitur në vendin e 22-të të renditjes, ndërsa Qarabag mbetet në pozitën e 10-të me gjashtë pikë.
Rezultatet dhe shënuesit:
-
Galatasaray – Bodo Glimt 3:1 (Osimhen 3’, 33’, Akgün 60’ / Helmersen 76’)
-
Athletic Bilbao – Qarabag 3:1 (Guruzeta 40’, 88’, Navarro 70’ / Andrade 1’)