Grevat mbarëkombëtare filluan me 76 mijë oficerë të policisë dhe xhandarë të vendosur në të gjithë vendin, me 5 mijë të vendosur në kryeqytetin Paris
Franca përgatitet për greva të reja pasi sindikatat kryesore dhe partitë e majta të opozitës bënë thirrje për një grevë mbarëkombëtare që synon të ndikojë ne vendimet buxhetore të kryeministrit Sebastien Lecornu, transmeton Anadolu.
Grevat mbarëkombëtare filluan me 76 mijë oficerë të policisë dhe xhandarë të vendosur në të gjithë vendin, me 5 mijë të vendosur në kryeqytetin Paris. Sipas transmetuesit BFM TV, në orët e para të mëngjesit, rreth 20 persona u përpoqën të bëjnë një bllokadë në Lion, e cila u shpërnda shpejt, duke rezultuar në dy arrestime.
U raportuan bllokada në shkollat e mesme në Bordeaux dhe Montpellier. Në Bordeaux, disa qindra nxënës të shkollave të mesme bllokuan një shkollë në perëndim të qytetit, duke brohoritur “Macron jep dorëheqje”.
Disa procesione gjithashtu u nisën nga Marseja, Nantes dhe Saint-Nazaire.
Snes-FSU, sindikata kryesore e shkollave të mesme, regjistroi një grevë prej 27 për qind në shkollat e mesme dhe të larta, ndërsa sipas shifrave nga Ministria e Arsimit, 6,42 për qind e mësuesve janë në grevë.
Ministria regjistroi deri në shtatë bllokada të plota të shkollave të mesme dhe 40 ndërprerje në Francë.
Sindikatat kryesore të Francës dhe partitë e opozitës së krahut të majtë kishin bërë thirrje për një grevë mbarëkombëtare më 2 tetor pas një takimi të tensionuar me kryeministrin Lecornu, i cili, sipas tyre, nuk arriti të përmbushë kërkesat e tyre në lidhje me propozimet e buxhetit.
Grupi parlamentar La France Insoumise (LFI) tha se “Sebastien Lecornu duhet të censurohet”, duke i nxitur grupet e tjera të krahut të majtë të nënshkruajnë një mocion të përbashkët mosbesimi. LFI-ja tha se mocioni do të paraqitet në hapje të seancës parlamentare.
Partia Komuniste, Partia Socialiste, LFI dhe Ekologjistët njoftuan në BFM TV se do t’i bashkoheshin thirrjes për grevë. Grevat e ripërtërira erdhën pasi rreth 1 milion njerëz morën pjesë në protestat mbarëkombëtare të 18 tetorit, të nxitura nga sindikatat dhe mobilizimi “Blloko gjithçka”, i cili tërhoqi gati 197 mijë njerëz në të gjithë vendin.
– Tensione politike mbi drejtësinë dhe buxhetin
Ish-ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti paralajmëroi për “një zhvendosje të sigurisë” nën qeverinë e kryeministrit Lecornu. “Nëse ekzekutivi përpiqet të marrë kontrollin e drejtësisë, ne po kalojmë nga demokracia në totalitarizëm”, tha ai.
Ministri aktual i Drejtësisë, Gerald Darmanin u përgjigj përmes platformës sociale të kompanisë amerikane X, duke theksuar: “Siguria e popullit francez është me të vërtetë përparësia ime absolute. Për këtë qëllim, unë po rivendos vendosmërisht rendin, pa naivitet apo tepri, në funksionimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe burgjeve tona”.
Në të njëjtën kohë, burime qeveritare i thanë BFM TV se individëve dhe bizneseve më të pasura do t’u kërkohet të kontribuojnë në buxhetin e vitit 2026.
Derisa përjashtuan një “taksë Zucman”, zyrtarët thanë se përpjekja do të synojë ata me të ardhura dhe asete shumë të larta, pa dëmtuar kapacitetin e investimeve.
Presidenti Emmanuel Macron mbrojti qasjen e kujdesshme të kryeministrit Lecornu në formimin e qeverisë së tij. “Ai ka të drejtë që merr kohë, duke respektuar të gjitha forcat politike”, tha Macron, duke nxitur besim tek kryeministri i ri.
Eric Ciotti, kreu i deputetëve të Unionit të së Djathtës për Republikën (UDR), si dhe Marine Le Pen denoncuan taksimin e planifikuar të më të pasurve. “Taksimi i mjetit të punës është çmenduri”, tha Ciotti për TF1 duke akuzuar qeverinë se po ndjek “një ideologji të së majtës ekstreme”.
Ai paralajmëroi se masa të tilla do t’i largonin taksapaguesit dhe investitorët e pasur nga Franca.