Ky është urdhërarresti i tretë që autoritetet franceze kanë lëshuar për presidentin e rrëzuar sirian, Bashar al-Asad
Franca ka lëshuar një urdhër të ri ndërkombëtar arresti për presidentin e rrëzuar sirian, Bashar al-Asad, duke e akuzuar atë si përgjegjës për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës së gjatë civile të vendit, raportojnë mediat franceze, transmeton Aandolu.
Sipas raportimeve, fletarresti, i nënshkruar më 29 korrik, shënjestron Asadin për rolin e tij të dyshuar në sulmet kimike të kryera në vitin 2013.
Sulmet ndodhën më 5 gusht 2013 në Adra dhe Douma, duke plagosur rreth 450 persona, dhe më 21 gusht në Gutën Lindore, ku gazi sarin, sipas inteligjencës amerikane, vrau më shumë se 1.000 individë.
Ky është urdhërarresti i tretë që autoritetet franceze kanë lëshuar për Asadin.
Gjykatat franceze më parë kanë lëshuar urdhra arresti në lidhje me bombardimin e një qendre shtypi në Homs në vitin 2012, ku u vra gazetarja amerikane Marie Colvin dhe fotografi francez Remi Ochlik, dhe bombardimin e një zone banimi civilësh në Deraa në vitin 2017.
Asadi, udhëheqës i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Administrata e presidentit të përkohshëm Ahmad Sharaa u formua në janar.