Franca dhe Spanja kërkojnë kufizime të fuqive të vetos në OKB për të siguruar drejtësi në Gaza

Ministri francez Barrot tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të reformohet për të reflektuar realitetet gjeopolitike të sotme dhe për të rikthyer legjitimitetin në vendimet e tij

Franca dhe Spanja kanë përsëritur thirrjet për të kufizuar përdorimin e fuqive të vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke theksuar se mekanizmi ka bllokuar vazhdimisht veprimin global përballë krizave humanitare si ajo në Gaza, transmeton Anadolu.

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të reformohet për të reflektuar realitetet gjeopolitike të sotme dhe për të rikthyer legjitimitetin në vendimet e tij.

“Ne duam të sigurohemi që dy vende të përhershme në Këshillin e Sigurimit t’i jepen Afrikës, që Japonia, Gjermania dhe Brazili të mund të kenë një vend, për t’i bërë vendimet më legjitime”, tha Barrot në Forumin e Paqes në Paris.

Ai shtoi se Franca ka punuar “për vite me radhë” me Meksikën për të promovuar një iniciativë që kufizon të drejtën e vetos në rastet e mizorive, një propozim që tani mbështetet nga më shumë se 20 vende.

“Ne nuk ishim në gjendje të arrijmë një angazhim të përbashkët për Gazën”, tha Barrot, duke shtuar se Këshilli i Sigurimit duhet të marrë “përgjegjësi morale dhe politike” për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare.

“Kjo është arsyeja pse po lutemi kaq fort në favor të reformës së Këshillit të Sigurimit, për të zhbllokuar vendimet që bllokohen nga vetoja kur preken të drejtat themelore të njeriut”, theksoi ai.

Ndërkaq, ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares, përkrahu komentet e ministrit francez, duke theksuar se qëndrimi i Spanjës është konsistent “qoftë në Ukrainë, Gaza, Sudan apo Sahel”.

“Ne mbrojmë të drejtën ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe mbrojtjen e civilëve”, tha ai.

Albares e përshkroi UNRWA-në si një “organ të domosdoshëm të OKB-së”, duke theksuar se “jeta e gjashtë milionë palestinezëve në Lindjen e Mesme varet prej saj”.

Ai tha se ndihma humanitare “duhet të arrijë në Rripin e Gazës pa pengesa” dhe se ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj punonjësve të ndihmës “duhet të mbahen përgjegjës”.

“Duhet të kujtojmë se vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të detyrueshme për të gjithë në OKB, përfshirë shtetin e Izraelit”, tha Albares.

“Izraeli nuk mund të ketë të drejtë vetoje”, shtoi ai.

Ndërkohë, Mirjana Spoljaric-Egger, presidente e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), paralajmëroi se operacioni humanitar në vazhdim në Gaza mbetet “shumë kompleks, i ndjeshëm dhe i rrezikshëm”.

“Armëpushimi duhet të mbahet, miliona jetë varen në fije të perit. Nëse armiqësitë rifillojnë, nuk ka më rezistencë për njerëzit”, tha Spoljaric-Egger.

Ajo theksoi se injorimi i ligjit ndërkombëtar në Gaza dhe Sudan u dërgon “një sinjal 450 grupeve të armatosura dhe aktorëve jo-shtetërorë se gjithçka është e lejuar”, si dhe paralajmëroi se fuqia e tyre po amplifikohet nga teknologjitë e reja.

Kategoritë
BotaLajme