Forcat izraelite arrestuan edhe nipin e Nelson Mandelës që ndodhej në flotiljen për Gazën

Protestuesit sot dolën në rrugët e Cape Town-it, në Afrikën e Jugut, duke kërkuar lirimin e disa aktivistëve, përfshirë Mandla Mandelën, nipin e Nelson Mandelës, të cilin trupat izraelite e kapën gjatë një bastisjeje ndaj flotiljes globale Sumud.

Flotilja, e përbërë nga mbi 40 anije dhe më shumë se 500 aktivistë nga 44 vende, tentoi të thyejë bllokadën izraelite të Gazës për të dërguar ndihma humanitare.

Izraeli mbrëmë e kapi flotiljen në ujërat ndërkombëtare, duke marrë kontrollin mbi anijet dhe duke arrestuar aktivistët, përfshirë edhe Gretën Thunberg.

Së bashku me Mandelën, u rrëmbyen edhe disa aktivistë të tjerë nga Afrika e Jugut, përfshirë Fatima Hendricks, Zukiswa Wanner, Zaheera Soomar, Reaaz Moola, Basheerah Soomar dhe Carolyn Shelver.

Në kryeqytetin e Afrikës së Jugut, qytetarët dolën në rrugë për të shprehur indinjatën e tyre për bastisjen ndaj flotiljes dhe gjenocidin në Gaza.

Fushata për solidaritet me Palestinën e dënoi aksionin e Izraelit si “një akt i neveritshëm rrëmbimi, piraterie dhe dhune ndaj civilëve” dhe theksoi se ai përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që kërkojnë qasje të pakufizuar humanitare në Gaza.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, e quajti kapjen e flotiljes edhe një shkelje tjetër të rëndë nga Izraeli, duke theksuar se sulmi u krye në ujërat ndërkombëtare dhe përbën shkelje të detyrimeve ligjore.

 

Kategoritë
BotaLajme