Flotilë me aktivistë dhe ndihma për Gazën niset nga Spanja

Dhjetëra anije me aktivistë dhe ndihma humanitare për palestinezët në Gaza u nisën të mërkurën nga Barcelona, në verilindje të Spanja. Organizatorët e Global Sumud Flotilla bëjnë të ditur se në këtë aksion do të marrin pjesë mbi 70 anije dhe rreth 1.000 persona nga e gjithë bota, duke e cilësuar si mobilizimin më të madh civil të këtij lloji kundër veprimeve izraelite në territorin palestinez.

Rreth 40 anije janë nisur nga Barcelona, ndërsa pjesa tjetër e flotës do t’u bashkohet nga porte të tjera përgjatë Mesdheut, teksa lëvizin drejt lindjes, tha Thiago Ávila, një nga drejtuesit e flotilës, gjatë një konference për media.
Për shkak të motit të keq, organizatorët u detyruan të shtyjnë nisjen, e cila fillimisht ishte planifikuar për 12 prill. Ndërkohë që vëmendja ndërkombëtare është zhvendosur drejt luftës që përfshin Iranin, aktivistët shpresojnë që kjo nismë të rikthejë fokusin mbi situatën e rëndë të palestinezëve në Gaza.
“Po nisim këtë mision sepse qeveritë kanë dështuar,” deklaroi Saif Abukeshek, aktivist palestinez dhe anëtar i bordit drejtues global të flotilës.
“Ata duan një shoqëri që ndihet e pafuqishme, që nuk mund të veprojë dhe nuk mund të mobilizohet. Ne refuzojmë të jemi një shoqëri e tillë,” shtoi ai.
Javën e kaluar në Gaza u shënuan gjashtë muaj nga armëpushimi që ndali luftimet më intensive mes forcave izraelite dhe Hamas. Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 700 persona janë vrarë gjatë këtyre gjashtë muajve pas shpalljes së armëpushimit.
Shumë nga hapat për stabilizimin e situatës mbeten ende për t’u realizuar – nga çarmatosja e Hamasit dhe përfundimi i sundimit të tij, te vendosja e forcave ndërkombëtare stabilizuese dhe nisja e rindërtimit në shkallë të gjerë. Rreth 2 milionë banorë të Gazës vazhdojnë të jetojnë mes rrënojave, përballë mungesave të ushqimit dhe ilaçeve, ndërsa ndihma hyn në mënyrë të kufizuar përmes një pike kufitare të kontrolluar nga Izraeli.
Izraeli dhe Egjipti kanë vendosur forma të ndryshme bllokade ndaj Gazës që nga viti 2007, kur Hamasi mori pushtetin. Izraeli argumenton se bllokada është e nevojshme për të parandaluar furnizimin me armë të Hamasit, ndërsa kritikët thonë se ajo përbën ndëshkim kolektiv ndaj popullsisë palestineze.
Aksioni i fundit i Global Sumud Flotilla vjen më pak se një vit pasi një përpjekje e ngjashme u ndalua nga ushtria izraelite.
Vjeshtën e kaluar, dhjetëra anije iu afruan Gazës, madje njëra kaloi kufirin prej 12 miljesh detare që ndan ujërat ndërkombëtare nga ato territoriale të Gazës. Megjithatë, të gjitha u ndaluan dhe u sekuestruan ose u kthyen mbrapsht.
Kategoritë
BotaLajme