“Ne e shohim si thelbësore që Ukraina të marrë armë kritike nga SHBA-ja”, thotë ministri i Mbrojtjes së Finlandës, Antti Hakkanen
Finlanda do të marrë pjesë në iniciativën e NATO-s për të blerë armë amerikane për Ukrainën, raportoi transmetuesi publik finlandez YLE, transmeton Anadolu.
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen tha se Helsinki do t’i bashkohet programit të aleancës Listës së Kërkesave të Prioritizuara për Ukrainën (PURL), sipas të cilit anëtarët e NATO-s blejnë armë të prodhuara në SHBA bazuar në kërkesat e Ukrainës.
“Ne e shohim si thelbësore që Ukraina të marrë armë kritike nga SHBA-të,” u tha Hakkanen gazetarëve në Bruksel, ku ministrat e Mbrojtjes së NATO-s po mbajnë një takim.
Çdo paketë armësh PURL thuhet se vlerësohet në afërsisht 500 milionë dollarë. Megjithatë, Hakkanen nuk zbuloi shumën që Finlanda do të kontribuonte financiarisht në iniciativë.
Ai theksoi se armët me rreze të gjatë veprimi janë jetike për Ukrainën dhe do të kishin “ndikim të qartë” në luftë, duke nënvizuar nevojën që vendet perëndimore të rrisin mbështetjen ushtarake dhe të shtrëngojnë sanksionet ekonomike kundër Rusisë.
“Është e vetmja mënyrë për të arritur paqen, nëse është ajo që duam vërtet”, tha ai.
NATO e prezantoi iniciativën PURL në korrik, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump pezulloi përkohësisht ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke akuzuar aleatët se nuk po e ndajnë barrën.