Raportimet e fundit nga Spanja kanë bërë me dije se Real Madridi po synon të ndërmarrë masa drastike para finales së Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës.
Barcelona dhe Real Madridi është paraparë që të përballen nesër (e shtunë) me fillim nga ora 22:00 në ‘La Cartuja’ të Sevillas për finalen e Kupës së Mbretit.
Burgos Bengoetxea tha se pasojat për videot që publikon Real Madridi po i vuan familja e tij.
Nga ana e Real Madridit kanë mbetur të shokuar nga pretendimet e gjyqtarit spanjoll dhe ata kanë kërkuar nga Federata e Spanjës që të caktojë një gjyqtar tjetër për të ndarë drejtësinë në finale si dhe dhomën e VAR-it.
Siç është raportuar deri më tani, kjo kërkesë e madrilenëve është refuzuar nga Federata diçka që ka frustruar Real Madridin.
Ata tashmë kanë anuluar konferencën për media që është paraparë të mbahet sot si dhe seancën e fundit stërvitore.
Media të ndryshme kanë konfirmuar se Real Madridi ka mundësi të mos paraqitet fare në fushë nesër në rast se Federata nuk cakton një gjyqtar tjetër.