Familjet që ishin në konflikt pronësie me Gjon Shkambin janë tronditur sot nga lajmi i vrasjes së gjyqtarit të Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja.
Dhimbja e tyre bëhet më e madhe për faktin se magjistrati u vra teksa lexonte vendimin gjyqësor në favor të tyre, duke u dhënë të drejtë të jetonin në godinat që pretendonte si pronësi familja Shkambi.
Dhe bashkë me lajmin e mirë për fitimin e procesit gjyqësor të mbi 30 familjeve, ka ardhur edhe ai i kobshëm se magjistrati Kalaja u qëllua për vdekje për shkak të verdiktit që dha, pra për shkak të këtyre familjeve shkodrane, qytet nga i cili ishte edhe vetë.
Por çfarë thonë vetë banorët? Ata kërkojnë dënimin maksimal për Gjon Shkambin dhe nipin e tij, teksa përloten për gjyqtarin Kalaja, duke vënë në dukje se u vra për ta dhe për të vendosur drejtësi, që të mos mbeteshin rrugëve.
Ndërsa shprehin ngushëllimet për familjen Kalaja, ata thonë se do të dëshironin të ishin edhe në varrim. Gjithashtu tregojnë kalvarin 15 vjeçar të gjyqeve, edhe pse për shtëpitë kishin dokumentacione të rregullta.
“Sot ishte gjyqi i Apelit, i fundit, gjyqi na ka dhënë ne të drejtë, tani u bë si u bë… për të gjithë ka qenë vendimi, për të gjithë. Vendimin e mori, janë 30 e ca familje. A më vjen keq për gjyqtarin? Sigurisht, ka vdekur për ne (përlotet). Se është edhe shkodran. Nuk ka vdek për veten, ka vdek pë të drejtën që ka pasur ai dhe për të drejtën tonë dhe s’na la që të na nxirrnin jashtë, se na ka lejuar shteti”, thotë një prej banorëve i përlotur për rastin.
Kurse Shuke Pepniku rrëfen ehe kalvarin e gjatë të vuajtjeve e gjyqeve nga familja Shkambi, duke nënvizuar se mund të kishte qenë edhe burri i saj që të kishte mbetur viktimë në atë sallë.
Ajo kërkon dënimin me të gjithë forcën e ligjit të xhaxhait dhe nipit autor.
Rrëfimi i plotë i banores:
“Unë jam Shuke Pepniku, në banesën që jetoj ja kam blerë shtëpinë Gjon Shkambit më 1996, Bashkia ia ka dhënë atij personit më 1993, s’ka nevojë me e çu më gjatë këtë muhabet. Gjon Shkambi e ka shit vetë dhe kemi qenë 15 vite gjyqeve, edhe pse e ka shitur vetë, jemi të rregullt me drita, ujë dokumente etj. Rëndësi ka që jemi shqetësuar shumë për vdekjen e gjyqtarit. Na vjen shumë keq, ngushëllime familjes së tij. Na vjen keq për komshitë që ndodhën aty e u plagosën, mund të ndodhej edhe burri im ay, sepse herën e kaluar bashkë me avokatin por këtë herë nuk shkoi dot sepse kishte disa probleme me fadromën që ka qenë këtu.
Dëshira jonë është me marrë pjesë edhe në varrimin e tij, edhe pse s’na e kishte borxh dhe na ka dhënë vendimin që e di se është i drejtë, jo se është për ne. Gjon Shkambi meriton burg përjetë, bashkë me nipin, për atë që ka bërë, se e ka vrarë ai apo nipi, të dy e kanë bërë.
Është e vështirë me hy brena me armë Gjoni, se si hyri brenda. Me vjen shumë keq për gjyqtarin se i shkoi jeta, edhe për familjen e tij dhe komshinë tonë. Ishalla drejtësia dhe zoti dënojnë Gjon Shkambin se na ka bërë për mos me na dal kush para syve”.
Ad
Këto janë prirjet e reja në dizajnin e kuzhinës për vitin 2025 (Kliko këtu për të parë)
Rimodelim Kuzhine | Kërko reklama
Shtëpi modulare në shitje – shiko tani opsionet e përballueshme
Shtëpi modulare | Reklama kërkimi
Një tjetër banor u shpreh se Bashkia dhe Hipoteka kishin bërë rrëmujë çështjen dhe në mënyrë të gabuar, duke theksuar se ajo ishte pronë shtetërore dhe jo private, kurse familja Shkambi i kishte humbur gjyqet.
“Fitimi i pronës dihet se është bërë në mënyrë të gabuar. Bashkia, hipoteka e kanë bërë këtë rrëmujë. Hipoteka e ka regjistruar. Pa vendim të Këshillit Bashkiak, si me qenë në hava. Kjo është pronë e shtetit, i kanë bërë me letra kot. Gjyqet i ka humbur ky. Nuk ka dokumente me nxjerr njerëz jashtë, as vendim, ka bërë manovrime. Ne nuk kemi vendim gjykatë me dal jashtë, asnjë lloj vendimi. Që në 2012 kemi nëpër seanca. Ka ardhur për të hyrë më forcë, por nuk ka mundur të futet. Fajin e ka Bashkia dhe Hipoteka. Konflikti vazhdon edhe sot”.
Familjet shprehen se prej vitit 2012 ata enden gjyqeve për të drejtën e tyre dhe nën rrezikun e nxjerrjes në rrugë, madje edhe nën presione dhe kërcënime të familjes Shkambi.
“Që nga 2012 na ka çuar nëpër gjyqe. Na ka bërë presione, kemi këtu që prej 30 vitesh. Të gjitha fajet i ka shteti. Shteti na i ka dhënë ne, ia ka dhënë edhe atij. Shteti i ka fajet”, thotë një tjetër banor.
Por sipas tyre, Gjon Shkambi ka shkuar deri tek kërcënimet me armë, kurse shteti ka qenë pasiv ndaj ankesave dhe denoncimeve të tyre të përsëritura.
“Ngushëllime familjes së tij, na ka ardhur shumë keq për gjyqtarin. Këto punë i ka bërë Lorenc Luka, që ka dhënë leje me u privatizu pa vendim të këshillit bashkiak. Kemi bërë një gjyq, e kemi fituar, e kanë çuar në Apel, e kanë kthyer për falsifikim dokumentesh. Gjon Shkambi ka ardhur këtu i armatosur, ka ardhur policia, i kemi thënë që e ka armën në makinë as që e kanë çarë kokën policët, as për ta arrestuar. Fajin e ka shteti. Ata nuk kanë pronë në Shkodër, është vendim i gjykatës. I kanë humbur të gjitha gjyqet sepse nuk kanë dokumente, i kanë të falsifikuara. Me pas dokumente ia kishim lëshuar vetë”, tregon banori.