Evropa Trumpit: Mos na shantazhoni. Ky nuk është lufta jonë

Evropa i dërgoi të hënën një mesazh të qartë Donald Trumpit: nuk do të marrë pjesë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. Ministrat e jashtëm të 27 vendeve anëtare u mblodhën në Bruksel për të shqyrtuar thirrjen e presidentit amerikan që vendet evropiane të ndihmojnë në sigurimin e këtij korridori të rëndësishëm detar, të cilin Irani e ka bllokuar si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite.

Pas bisedimeve disaorëshe me dyer të mbyllura, diplomatët evropianë hodhën poshtë idenë për zgjerimin e misionit detar të BE-së “Aspides” dhe përfunduan se bëhet fjalë për një problem amerikan që Uashingtoni duhet ta zgjidhë vetë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, tha se edhe pse ekziston një dëshirë për të forcuar misionin detar në Lindjen e Mesme, nuk ka pasur vullnet për ndryshimin e mandatit për të dërguar anije luftarake në ngushticë.

“Evropa nuk ka interes për një luftë të pafund. Ky nuk është lufta jonë, por interesat evropiane janë drejtpërdrejt të rrezikuara”, tha Kallas, duke shtuar se askush nuk dëshiron të përfshihet aktivisht në këtë luftë.

Presioni dhe zhgënjimi i Trumpit

Trump gjatë fundjavës deklaroi se do të ishte “shumë keq për të ardhmen e NATO-s” nëse vendet evropiane nuk i përgjigjen thirrjes së tij. Ai tha se është në kontakt me shtatë vende lidhur me këtë çështje, pa specifikuar cilat janë.

Ai shprehu bindjen se Franca do të ndihmojë SHBA-në, duke përmendur bisedën me presidentin Emmanuel Macron, por u shpreh i pakënaqur me qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar, pasi kryeministri Keir Starmer refuzoi përfshirjen në një “luftë më të gjerë”.

Edhe pse Trump theksoi se SHBA-së “nuk i duhet askush”, kërkesa e tij u pa si test i solidaritetit në një moment kur bllokada e ngushticës po rrit çmimet e naftës.

Mesazhe të ashpra nga Gjermania dhe Luksemburgu

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius deklaroi se “amerikanët, së bashku me izraelitët, e kanë zgjedhur këtë rrugë” dhe se Gjermania nuk e ka nisur këtë luftë.

Edhe kancelari Friedrich Merz refuzoi përfshirjen, duke theksuar se NATO është një aleancë mbrojtëse dhe jo ndërhyrëse.

Zëvendëskryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Mos na kërkoni të dërgojmë ushtri. Nuk do të pranojmë shantazh.”

NATO qëndron në distancë

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, përsëriti thirrjen e Trumpit, duke thënë se siguria e Ngushticës së Hormuzit është edhe në interes të Evropës.

Ngushtica, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës botërore, mbetet praktikisht e mbyllur, duke çuar çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi.

Megjithatë, një mision i plotë i NATO-s në këtë konflikt konsiderohet i pamundur, pasi nuk ka mbështetje unanime dhe nuk shihet si fushë direkte përgjegjësie e Aleancës.

Liderët e BE-së pritet të takohen të enjten, ku pritet të bëjnë thirrje për ulje tensionesh dhe përmbajtje maksimale në Iran dhe në rajon.

Kategoritë
BotaLajme