Evropa përgatit goditjen më të rëndë për Vuçiçin: Raporti më negativ për Serbinë deri tani – përmenden Srebrenica, censura dhe kriminelët e luftës

Raporti i këtij viti për përparimin e Serbisë, që Komisioni Evropian do ta miratojë të martën si pjesë e paketës së zgjerimit, pritet të jetë më negativi që nga fillimi i procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kritika të ashpra ndaj Beogradit

Në draftin e raportit, në të cilin ka pasur qasje gazeta Jutarnji list, radhiten kritika serioze që variojnë nga retorika kundër BE-së, përdorimi i tepruar i forcës policore, mungesa e vullnetit për ndjekjen penale të krimeve të luftës, moszbatimi i marrëveshjeve me Kosovën, deri te kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Pakoja e zgjerimit do të miratohet më 4 nëntor. Ndërsa për Shqipërinë dhe Malin e Zi priten vlerësime pozitive, raporti për Serbinë përmban kritikat më të ashpra dhe vlerësimet më negative.

Retorikë anti-BE dhe polarizim i thellë

Komisioni thekson se në Serbi vazhdon narrativi kundër BE-së, jo vetëm në media, por edhe në nivelet më të larta politike. Beogradi akuzohet për mungesë të vullnetit politik për integrim në BE dhe për thellimin e ndarjeve shoqërore. Gjithashtu, shprehet shqetësim për marrëdhëniet e pushtetit me organizatat joqeveritare – shumë prej tyre kanë ndërprerë bashkëpunimin me institucionet shtetërore, gjë që dëmton procesin e zgjerimit.

Liria e medias dhe korrupsioni

Një ndër çështjet më të rënda është rënia e dukshme e lirisë së medias. Sipas raportit, kushtet e punës për gazetarët janë përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa zyrtarët e lartë shpesh i diskreditojnë publikisht mediat kritike. Përmenden gjithashtu raste të dhunës policore ndaj protestuesve që nuk janë hetuar në mënyrë të duhur.

Komisioni Evropian përmend edhe incidentin në Novi Sad, që shkaktoi protesta masive kundër korrupsionit dhe papërgjegjësisë së pushtetit, duke e cilësuar si një ngjarje që thelloi ndarjet politike në vend.

Demokracia dhe zgjedhjet

Raporti vlerëson se Serbia ka bërë përparim të pamjaftueshëm në fushën e demokracisë. Kërkohet reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, zbatim i plotë i rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe debat real demokratik në parlament. Në Kuvendin e Serbisë mungon transparenca, seancat janë të pakta, ndërsa tensionet midis pushtetit dhe opozitës dominojnë diskutimet.

Krimet e luftës dhe marrëdhëniet me Kosovën

Komisioni kërkon më shumë vendosmëri në ndjekjen e krimeve të luftës, duke theksuar se gjykatat hezitojnë të ngrenë akuza ndaj figurave të larta politike. Vërehet se bashkëpunimi me Kroacinë dhe Kosovën në këtë fushë është shumë i kufizuar.

Raporti kritikon faktin që zyrtarë dhe media serbe u japin hapësirë publike kriminelëve të dënuar të luftës, duke mohuar krimet, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, pa asnjë pasojë ligjore.

Marrëdhëniet me Kroacinë dhe Kosovën

Marrëdhëniet me Kroacinë përshkruhen si antagoniste, me shkëmbime akuzash dhe nota diplomatike. Sa i përket Kosovës, raporti kritikon Serbinë për mosndëshkimin e autorëve të sulmit në Banjskë dhe për shkeljen e detyrimit për të mos kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Megjithatë, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Kosovë vlerësohet si hap pozitiv drejt kthimit në institucionet kosovare.

Stanjacion në negociatat me BE-në

Pavarësisht kritikave, Komisioni pritet të konfirmojë se Serbia plotëson kushtet teknike për hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit. Por mbështetja politike në Këshill mbetet e pasigurt.

Kanë kaluar tashmë katër vjet që nga hapja e kapitullit të fundit të negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian.

Kategoritë
LajmeRajoni