Erdogani reagoi për herë të parë pas marrëveshjes për Gazën: “Do ta ndjekim me rigorozitet zbatimin e saj”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, reagoi për herë të parë pas marrëveshjes për Gazën, duke theksuar se Turqia do të ndjekë nga afër zbatimin e saj të plotë dhe rigoroz.

“Jam shumë i kënaqur që negociatat mes Hamasit dhe Izraelit, të mbajtura në Sharm el-Sheikh me kontributin e Turqisë, kanë rezultuar me një armëpushim në Gaza. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time, veçanërisht presidentit amerikan Trump, i cili tregoi vullnetin e nevojshëm politik për të nxitur qeverinë izraelite të pranojë armëpushimin, si dhe vendeve tona vëllazërore, Katarit dhe Egjiptit, për mbështetjen e tyre të rëndësishme në arritjen e marrëveshjes. Si Turqi, do ta ndjekim me kujdes zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe do të vazhdojmë të kontribuojmë në proces,” shkroi Erdoğan në rrjetin social Twitter.

Ai theksoi gjithashtu se “lufta jonë do të vazhdojë deri në krijimin e një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe gjeografikisht të bashkuar, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.”

“Me këtë rast, u drejtoj përshëndetjet më të përzemërta vëllezërve dhe motrave tona palestineze, të cilët për dy vjet kanë duruar një dhimbje të paimagjinueshme, janë përballur me kushte çnjerëzore për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e tyre, kanë humbur fëmijët, nënat, etërit, të afërmit dhe miqtë e tyre, por megjithatë kanë qëndruar të vendosur në qëndrimin e tyre. Zoti qoftë ndihmëtar i vëllezërve dhe motrave tona palestineze; Zoti u dhëntë paqe shpirtërave të dëshmorëve tanë dhe u shpërbleftë me Xhenet,” shtoi Erdoğan.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar disa herë se Turqia ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në arritjen e paqes dhe ndërprerjen e luftës në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme