Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dënoi ashpër përpjekjet për të nxitur ndarje sektare në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në një fjalim të fortë në Ankara, ai theksoi se nuk ka asnjë dallim mes gjakderdhjes në Iran, vendet e Gjirit dhe Liban, duke bërë thirrje për unitet kundër “planit sionist të përçarjes”.
Duke folur në një aktivitet të organizuar nga partia e tij në pushtet AK Parti, Erdogani iu referua sulmeve të fundit amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, si dhe goditjeve iraniane në Gjirin Persik. Ai apeloi që lufta të mos shihet nga perspektiva e ndarjes shiitë-sunitë.
“Nuk është e drejtë të nxiten ndarje sektare dhe as t’i shërbehet agjendës sioniste ‘përça e sundo’. Në sytë e agresorëve që nuk njohin asnjë parim apo vlerë, a ka ndonjë dallim nëse jemi shiitë apo sunitë, turq, kurdë, arabë apo persianë?”, tha ai.
“Rrjeti i gjenocidit” po e çon rajonin në një rrugë pa dalje
Erdogani theksoi se rajoni po kalon periudhën më të vështirë në njëqind vitet e fundit, duke paralajmëruar se “rrjeti i gjenocidit” po e shtyn Lindjen e Mesme drejt një rrugë pa dalje.
“Nuk ka dallim mes gjakderdhjes në Iran, vendet e Gjirit dhe Liban. Të gjithë ata që janë vrarë pa mëshirë janë vëllezërit dhe motrat tona. Për sulmuesit nuk ka dallim mes shiitëve dhe sunitëve. Çfarë dallimi ka mes lotëve të derdhur në Isfahan, Tabriz e Teheran dhe atyre në Bejrut, Doha e Riad? Çfarë rëndësie ka për rrjetin e masakrës nëse quhemi Ali, Murtaza apo Omer, Aishe, Hasan apo Husein? Qoftë në Iran apo në Gjirin Persik, a nuk jemi ne ata që vuajmë nga çdo raketë e lëshuar?”, deklaroi ai, duke shtuar se Turqia nuk do të mbetet vetëm vëzhguese e vuajtjeve të popujve vëllezër.
Turqia aktualisht mban marrëdhënie të afërta me të gjitha palët në konflikt, përveç Izraelit. Mesazhet e Erdoganit u mbështetën edhe nga presidenti iranian Masoud Pezeshkian, i cili përmes rrjeteve sociale vlerësoi solidaritetin turk dhe theksoi “zgjimin” e shumë vendeve.
“Popujt e Pakistanit, Turqisë, Irakut, Libanit, Egjiptit dhe vendeve arabe po shprehin hapur neverinë ndaj Amerikës, Izraelit dhe krimeve të tyre. Zemrat e njerëzve të lirë në botë nuk janë me sionistët”, shkroi Pezeshkian.
Mbyllet Xhamia Al-Aksa
Përveç paralajmërimit se lufta e udhëhequr nga Izraeli po i shkakton kosto të mëdha gjithë botës dhe po e çon ekonominë globale në paqëndrueshmëri, Erdogani kritikoi ashpër zgjerimin e konfliktit nga Izraeli, duke përmendur pushtimin e Libanit dhe sulmet në Siri.
Ai theksoi se që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, vendet e shenjta në Jerusalemin janë mbyllur për arsye sigurie, përfshirë Xhamia Al-Aksa për myslimanët, Kisha e Varrit të Shenjtë për të krishterët dhe Muri i Vajtimit për hebrenjtë.
“E mbajtën të mbyllur kiblen tonë të parë, Xhaminë Al-Aksa, për 27 ditë. Për herë të parë që nga viti 1967, namazi i Bajramit nuk u fal në Al-Aksa. E drejta për t’u lutur nuk mund të ndalohet. Kujdesi për Al-Aksanë është detyrim i njerëzimit tonë dhe Turqia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj”, përfundoi Erdogani.










