Erdogan: Jemi të gatshëm të marrim rreziqe të mëdha për të ndalur gjakderdhjen që po shkakton Izraeli

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan theksoi se regjimi izraelit mban përgjegjësinë kryesore për “luftën e paligjshme”, duke e shndërruar rajonin në një zonë konflikti dhe duke krijuar një barrë ekonomike globale.

Gjatë mbledhjes javore të grupit parlamentar të partisë në pushtet AK, Erdogan u shpreh ashpër për situatën aktuale në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se konfliktet po rrisin vazhdimisht nivelin e kërcënimit dhe se qëllimi kryesor është që Turqia ta kalojë këtë periudhë pa incidente.

“Çdo pikë gjaku e derdhur në luftën e shkaktuar nga sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit do ta zgjasë mbijetesën politike të kriminelit të luftës Netanyahu”, tha Erdogan në fjalimin e tij.

Lideri turk shtoi se nuk duhet harruar se kush është përgjegjësi kryesor për përshkallëzimin aktual dhe pasojat më të gjera që ai sjell.

“Qeveria izraelite është përgjegjëse kryesore për këtë luftë të paligjshme, e cila jo vetëm që e ka kthyer rajonin tonë në fushëbetejë, por ka imponuar edhe një barrë ekonomike për mbarë njerëzimin”, u shpreh ai.

Duke folur për pozicionin e vendit të tij dhe politikën e brendshme, Erdogan theksoi nevojën për stabilitet, unitet dhe përmbajtje.

“Edhe pse jemi të rrethuar nga një rreth zjarri, kemi shmangur çdo debat politik që do të na shpërqendronte. Heshtja jonë nuk është sepse e miratojmë arrogancën, por buron nga kultura jonë. Në këtë periudhë të ndjeshme, nuk do të lejojmë që zemërimi, urrejtja dhe gjuha e konfliktit ta helmojnë politikën”, tha Erdogan, duke nënvizuar vendosmërinë për ta mbajtur Turqinë larg kësaj “zjarri”.

Në fund të fjalimit, presidenti turk shprehu shpresën e fortë se rruga drejt paqes do të hapet para se të ketë viktima të reja. Ai u zotua se Ankaraja zyrtare do të bëjë gjithçka që ka në dorë, madje edhe duke marrë rreziqe të mëdha, për të mbështetur përpjekjet për paqe.

“Shpresa jonë është që rruga drejt paqes të hapet para se të derdhet më shumë gjak. Për ta arritur këtë, do të vazhdojmë të japim maksimumin dhe, nëse duhet, do të marrim mbi vete edhe rreziqe të mëdha”, përfundoi Erdogan.

Kategoritë
BotaLajme