Erdogan: Hamasi nuk ka armë bërthamore, të gjitha janë në duart e Izraelit

Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan, ka pritur me një ceremoni zyrtare kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz i cili ndodhet për vizitë në Turqi.

Erdogan dhe Merz më pas vazhduan në një takim dypalësh, pas së cilit dolën në konferencë për media.

Bëhet e ditur se presidenti turk kritikoi ashpër Gjermaninë për atë që ai e quajti injorancë ndaj “gjenocidit”, urisë dhe sulmeve të Izraelit në Gaza.

Erdogan tha se Izraeli kishte armë bërthamore dhe armë të tjera me të cilat po kërcënonte Gazën, duke shtuar se grupi militant palestinez Hamas nuk kishte asnjë prej tyre.

“Hamasi nuk ka bomba, as armë bërthamore. Të gjitha këto armë janë në duart e Izraelit”, tha Erdogan.

Ai deklaroi se Izraeli kishte sulmuar përsëri Gazën ditët e fundit pavarësisht një armëpushimi në enklavë.

“Dhe Izraeli, duke përdorur këto armë, për shembull vetëm mbrëmë, goditi përsëri Gazën me këto bomba.”

“A nuk i sheh Gjermania këto?”, tha Erdogan duke shtuar se ishte detyrë humanitare e Turqisë, Gjermanisë dhe vendeve të tjera t’i jepnin fund urisë dhe masakrave në Gaza. /Telegrafi/

Kategoritë
BotaLajme