Eksperti mjekoligjor i thotë gjykatës se Liridona Ademaj u vra nga një largësi prej 2 deri në 5 centimetra

Një ekspert mjekoligjor ka thënë në gjykatë se Liridona Ademaj ishte vrarë nga një largësi prej 2 deri në 5 centimetra në vitin 2023, teksa dha dëshminë e tij të hënën në një seancë në gjyqin kundër Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës.

Naim Uka – i cili ka kryer autopsinë e tani të ndjerës Liridona Ademaj – tha në Gjykatën Themelore në Prishtinë se “gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar edhe djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barutit”.

“Në bazë të këtyre provave mjekoligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri në 5 centimetra”, tha Uka, sipas “Betimit për Drejtësi“.

Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Për vrasjen e saj po gjykohen bashkëshorti i saj Naim Murseli, si dhe Granit Plava dhe Kushtim Kokalla. Murseli dhe Kokalla janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa Plava nuk ka pranuar të deklarohet për fajësinë.

Eksperti mjekoligjor Uka i tha tutje gjykatës së është plaga kishte formë trekëndëshe, e cila ishte shoqëruar me thyerje të shumëfishta.

“Edhe në këtë rast, kemi kryer ekzaminimin e dy duarve të së ndjerës, në mënyrë që, bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave të gjakut, është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje”, tha ai.

Gjykimi në këtë rast nisi në fillim të këtij viti, ndërsa në seancën e kaluar dëshmoi vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, i cili tha se sjellja e Muselit menjëherë pas vrasjes e kishte tronditur familjene tyre.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi