Hamasi tha se gjetja e trupave të mbetur mund të marrë kohë pasi “disa u varrosën në tunele të shkatërruara nga pushtimi, ndërsa të tjerë mbeten nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara dhe të shkatërruara”
Ekipet palestineze kryen punime gërmimi në qytetin Khan Younis në Rripin e Gazës për të kërkuar trupat e pengjeve izraelite që u vranë gjatë sulmeve të fundit, raporton Anadolu.
Operacioni i gërmimit u krye duke përdorur automjete ndërtimi, me personel të armatosur që siguronte zonën përreth.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, bazuar në një plan të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të ndaluar luftën në Gaza, hyri në fuqi më 10 tetor.
Sipas marrëveshjes, Hamasi liroi 20 pengje të gjallë izraelitë dhe dorëzoi trupat e 10 të tjerëve nga gjithsej 28, shumica e të cilëve ishin izraelitë.
Në këmbim, Izraeli liroi 250 palestinezë që vuanin dënime me burgim të përjetshëm dhe 1.718 të paraburgosur që u arrestuan në Gaza pas 8 tetorit të vitit 2023. Më shumë se 10 mijë palestinezë mbeten të burgosur në Izrael.
Hamasi tha se gjetja e trupave të mbetur mund të marrë kohë pasi “disa u varrosën në tunele të shkatërruara nga pushtimi, ndërsa të tjerë mbeten nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara dhe të shkatërruara”.
“E njëjta ushtri pushtuese naziste që vrau këta pengje është ajo që është përgjegjëse për varrosjen e tyre nën rrënoja”, tha grupi, duke theksuar se tashmë i ka dorëzuar të gjitha trupat që ka mundur t’i gjejë.
Grupi palestinez gjithashtu akuzoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për “zvarritje dhe dështim në përmbushjen e angazhimeve”, duke shtuar se kërcënimet e tij për të vonuar rihapjen e pikës së kalimit Rafah dhe për të kufizuar ndihmën humanitare pasqyrojnë “qasjen e qeverisë së tij fashiste për ndëshkimin e civilëve të Gazës dhe shfrytëzimin e dosjes humanitare për përfitime politike”.