Egjipti thekson “përparim të rëndësishëm” në negociatat për armëpushim në Gaza

“Negociatat synojnë të konsolidojnë rrugën e paqes së drejtë bazuar në zgjidhjen me dy shtete dhe unitetin e plotë midis Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës”, tha ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty tha sot se si pjesë e negociatave për armëpushim në Rripin e Gazës, po zhvillohen diskutime mbi krijimin e një mekanizmi për të siguruar tërheqjen e plotë të Izraelit dhe qasjen e plotë në ndihmën humanitare, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media me homologen e tij sllovene, Abdelatty shprehu shpresën se raundi aktual i negociatave do të përfundojë me përfundimin e luftës dhe urisë në Gaza, duke vënë në dukje se “është bërë përparim i konsiderueshëm”.

Negociatat indirekte midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas filluan të hënën në qytetin Sharm el-Sheikh të Detit të Kuq të Egjiptit për të diskutuar mbi planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për armëpushim.

Ministri egjiptian shtoi se diskutimet aktuale në Sharm el-Sheikh po përqendrohen në krijimin e një mekanizmi që do të garantojë tërheqje të plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës dhe hyrjen pa kushte të ndihmës humanitare në enklavë nëpërmjet kanaleve të OKB-së.

Ai theksoi se negociatat synojnë të konsolidojnë rrugën e paqes së drejtë bazuar në zgjidhjen me dy shtete dhe unitetin e plotë midis Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës.

Kryediplomati egjiptian përshëndeti iniciativën e Trumpit, duke bërë thirrje për nisjen e një procesi politik bazuar në momentumin aktual që do të çojë në krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet.

Më 29 shtator, Trump shpalosi një propozim me 20 pika që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Rripit të Gazës. Ndërkohë Hamasi ra dakord me planin në parim.

Sipas televizionit shtetëror të Egjiptit “Al-Qahera New”, dita e parë e negociatave përfundoi në një atmosferë pozitive. Transmetuesi publik i Izraelit, KAN, raportoi “optimizëm” si në Izrael ashtu edhe në SHBA, duke vënë në dukje se duket e mundur të arrihet një marrëveshje deri të dielën.

Ushtria izraelite që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë në Gaza mbi 67.100 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në zhvendosje masive, uri dhe përhapje të sëmundjeve.

Kategoritë
BotaLajme