Një alarm u dha në Belgjikë duke zbardhur dita e sotme (3 tetor), kur 15 dronë misteriozë u panë mbi territorin ushtarak, bazë e NATO-s, pranë kufirit gjerman.
Zyrtarët belgë të mbrojtjes kanë nisur një hetim pasi 15 dronë u panë duke fluturuar mbi bazën ushtarake Elsenborn, pranë kufirit gjerman, duke dhënë edhe alarmin e gatishmërisë. Sipas transmetuesit belg “VRT NWS”, zyra e ministrit Theo Francken konfirmoi se Ministria e Mbrojtjes ka nisur një hetim.
Eksperti i mbrojtjes Jens Franssen tha se dronët u pikasën fillimisht rreth orës 1:45 të mëngjesit nga policia lokale në qytetin gjerman të Düren.
“Ata fluturuan mbi bazën tonë ushtarake në Elsenborn dhe hynë në hapësirën ajrore gjermane. Gjermania e raportoi këtë në Ministrinë e Mbrojtjes mbrëmë, më thonë burimet, por me sa duket ky informacion nuk i është përcjellë Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Fransen, sipas transmetuesit.
Ai shtoi se një avion testimi belg i vendosur në zonë për të monitoruar aktivitetin e dronëve gjithashtu e dalloi avionin pa pilot.
Burimi dhe operatorët e dronëve mbeten të panjohur. Fransen e përshkroi rastin si “një incident shumë të çuditshëm”, duke vënë në dukje se ka pak rëndësi strategjike në Elsenborn krahasuar me Bazën Ajrore Brogel, e cila strehon armë bërthamore amerikane.
“Për sa kohë që origjina, ose kush i kontrollonte dronët, është e paqartë, është e vështirë të vlerësohet se çfarë fshihet pas kësaj. Kjo, sigurisht, tregon nevojën për sisteme moderne që mund të zbulojnë, gjurmojnë dhe identifikojnë këto lloje dronësh të vegjël”, tha ai.