E bekoi Buda prej nëntë tonësh: Aeroporti prej dy miliardë dollarësh në Kamboxhia pret ende pasagjerët

Në kryeqytetin e Kamboxhias, Phnom Penh, është hapur një aeroport i ri me vlerë dy miliardë dollarë, për të cilin autoritetet shpresojnë se do të sjellë rritje të ndjeshme të turizmit në vend.

Aktualisht, Kamboxhia pret rreth 2,5 milionë turistë në vit, një shifër e vogël krahasuar me Vjetnamin (18 milionë) dhe Tajlandën (32 milionë), dy fqinj që dominojnë tregun turistik të rajonit.

Kjo diferencë është edhe më shqetësuese duke pasur parasysh se Kamboxhia ka potencial të ngjashëm turistik – me shumë plazhe, vende historike, tempuj nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe çmime tepër të përballueshme, që janë shenjë dalluese e Azisë Juglindore.

Projekti “Techo” dhe aeroporti me bekim fetar

Si pjesë e planit për të rritur ndjeshëm numrin e vizitorëve, qeveria kamboxhiane vendosi të modernizojë trafikun ajror përmes ndërtimit të një aeroporti të ri në Phnom Penh.

Ky aeroport, me vlerë dy miliardë dollarë, është pagëzuar me emrin “Techo”, që në gjuhën kmere është një titull ushtarak nderi. Ai nuk mund të hapej zyrtarisht pa u përfunduar dhe bekuar një statujë Bude me peshë nëntë tonë, e konsideruar si simbol i mbrojtjes dhe prosperitetit.

Katër ditë pas ceremonisë së bekimit nga murgjit, në aeroport u ul avioni i parë, që vinte nga Guangzhou, Kinë. Për këtë ngjarje solemne, autoritetet organizuan vallëzime tradicionale kmere, ndërsa kryeministri Hun Manet e shpalli zyrtarisht të hapur aeroportin më 20 tetor.

Dy aeroporte gjigante, pak turistë

Edhe pse qeveria shpreson se ky projekt – së bashku me një tjetër aeroport me vlerë 1 miliard dollarë, i hapur në vitin 2023 në një pjesë tjetër të vendit – do të përmirësojë gjendjen, parashikimet nuk janë optimiste.

Vetëm disa ditë para hapjes, Koreja e Jugut e futi Kamboxhian në “listën e zezë të udhëtimit”, pasi një qytetar korean u rrëmbye, torturua dhe vra në një qendër thirrjesh në këtë vend, sipas autoriteteve të Seulit.

Ekspertët: Aeroportet nuk mjaftojnë

Ekspertët e turizmit të intervistuar nga CNN theksojnë se ndërtimi i aeroporteve nuk është i mjaftueshëm për ta bërë Kamboxhian konkurrente me Tajlandën apo Vjetnamin.

“Vjetnami dhe Tajlanda ofrojnë më shumë në aspektin e kulturës, ushqimit dhe – më e rëndësishmja – sigurisë. Përtej Angkor Wat-it dhe Fushave të Vdekjes, Kamboxhia nuk ka shumë destinacione që mund të tërheqin turistët,” tha Shukor Yusof, themelues i kompanisë analitike Endau Analytics.

Ai shtoi se vendi “vazhdon të përballet me reputacionin e një destinacioni të lidhur me mashtrime dhe trafikim njerëzor”, gjë që pengon përpjekjet për ta zhvilluar si qendër të qëndrueshme turistike.

Kategoritë
BotaLajme