Dy anije të tjera i bashkohen flotiljes së re me ndihma për Gazën, duke e çuar totalin në 11

Si pjesë e misionit të fundit të Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, anijet transportojnë 170 aktivistë drejt Gazës.

Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës njoftoi të shtunën se dy anije të tjera i janë bashkuar valës së fundit të misionit të Koalicionit të Flotiljes së Lirisë për të sfiduar bllokadën e Izraelit nda Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të anijeve në rrugë në 11, pasi Izraeli sulmoi Flotiljen Globale “Sumud” në ujërat ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, komiteti tha se dy anijet, Ghassan Kanafani dhe al-Awda (Kthimi), janë pjesë e konvojit që aktualisht mban rreth 170 aktivistë ndërkombëtarë.

Flotilja ka kaluar ishullin grek të Kretës dhe tani është pozicionuar në veri të Marsa Matruh të Egjiptit në kursin e saj drejt Gazës, shtoi ai.

Ndër anijet kryesore është “Anija e Mjekëve dhe Gazetarëve”, e njohur edhe si “al-Damir” (Ndërgjegjja), një anije e madhe që transporton mjekë dhe gazetarë ndërkombëtarë nga e gjithë bota.

“Ne nuk do ta lëmë Gazën vetëm”, ​​deklaroi komiteti, duke theksuar se anijet synojnë të sfidojnë rrethimin e Izraelit dhe të dërgojnë ndihmë humanitare në territor.

Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, një rrjet grupesh ndërkombëtare të shoqërisë civile, ka organizuar përpjekje të shumta që nga viti 2010 për të thyer bllokadën e Gazës dhe për të nxjerrë në pah krizën e saj humanitare.

Forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan anije të Flotiljes Globale “Sumud” të enjten dhe arrestuan më shumë se 470 aktivistë nga mbi 50 vende. Flotilja tentoi të dërgonte ndihmë humanitare në Gaza dhe të sfidonte bllokadën e Izraelit ndaj enklavës.

Izraeli për gati 18 vjet po mban një bllokadë gjymtuese ndaj Rripit të Gazës, shtëpi e gati 2,4 milionë njerëzve.

Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë gati 66.300 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë atë të pabanueshme, me bllokadën që e ka çuar Gazën drejt urisë.

Kategoritë
BotaLajme