Fluturimi i një droni turk mbi Mesdhe është ndjekur përmes aplikacionit Flightradar24, gjatë të cilit droni vizatoi në qiell simbolin kombëtar të Turqisë – hënën dhe yllin. Ky fluturim u interpretua si një qëndrim simbolik i Ankarasë ndaj armëpushimit që u vendos sot në Rripin e Gazës.
Në të njëjtën kohë, dronët turq kishin ndjekur anijet e flotilës Sumud gjatë udhëtimit të tyre drejt Gazës, ndaj ushtria turke kishte intensifikuar aktivitetet e saj në Mesdhe gjatë muajve të fundit.
Kujtojmë se Hamasi dhe Izraeli arritën marrëveshje për armëpushim pas disa ditësh negociatash në Egjipt.
“Jam jashtëzakonisht krenar që mund të shpall se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të planit tonë të paqes. Kjo do të thotë se të gjithë pengjet do të lirohen së shpejti, ndërsa Izraeli do t’i tërheqë trupat e tij në vijën e rënë dakord si hap i parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen me drejtësi! Ky është një ditë e madhe për botën arabe dhe myslimane, për Izraelin, vendet fqinje dhe Shtetet e Bashkuara. Falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia që punuan me ne për ta bërë të mundur këtë ngjarje historike dhe të paprecedentë,” shkroi Donald Trump në platformën Truth Social pas arritjes së marrëveshjes.
Trump shtoi se të gjithë pengjet në Gaza do të lirohen së shpejti dhe se Izraeli do të tërheqë trupat e veta në vijën e dakorduar si hap i parë drejt “një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme”.