Drejtoresha e Luvrit jep dorëheqjen pas grabitjes historike: “Jemi të mposhtur, është njollosur reputacioni i Francës”

Drejtoresha e Muzeut të Luvrit, Laurence des Cars, ka ofruar dorëheqjen pasi pranoi se vjedhja e së dielës në muze, gjatë së cilës u morën stoli me vlerë rreth 76 milionë paund, përbën një “dështim të rëndë”.

“Pavarësisht punës sonë të përditshme të palodhur, jemi të mposhtur,” tha ajo përpara komisionit të Senatit francez, duke marrë mbi vete një pjesë të përgjegjësisë për incidentin që, siç u shpreh, “ka njollosur imazhin e Francës”.

Luvri u hap sërish për vizitorët të hënën, vetëm tre ditë pas grabitjes spektakolare.

Grabitja “si në film”

Sipas hetimeve, hajdutët përdorën një vinç për të arritur dritaren e katit të sipërm, thyen xhamin dhe brenda më pak se katër minutash morën tetë copë stoli të kurorës franceze, duke ikur me motoçikleta.
Në total, brenda më pak se dhjetë minutash, ata arritën të marrin tetë pjesë bizhuterish të paçmueshme të epokës Napoleoniane.

Kustosi i muzeut vlerësoi dëmin në 88 milionë euro, duke e cilësuar këtë grabitje si më të rëndën në historinë e institucionit.

Dobësitë në siguri dhe përgjegjësitë politike

Des Cars theksoi se hajdutët përfituan nga boshllëqet në sistemin e sigurisë, pasi një pjesë e fasadës së muzeut nuk ishte e mbuluar me kamera.

“Paralajmërimet e mia të mëparshme për gjendjen e dobët të sigurisë, fatkeqësisht, u vërtetuan,” deklaroi ajo.

Megjithëse ministrja e Kulturës, Rachida Dati, është përballur me kritika për deklaratat se “nuk ka pasur shkelje sigurie”, ajo refuzoi të pranojë dorëheqjen e drejtoreshës.

Hetimet dhe gjurmët ndërkombëtare

Autoritetet franceze njoftuan se rreth 100 hetues janë përfshirë në operacionin për rikthimin e bizhuterive të vjedhura dhe për gjetjen e katër personave të dyshuar.
Sipas ekspertëve të artit, diamantet e vjedhur mund të përfundojnë në tregjet e zi të Izraelit, Indisë apo Antwerp-it, qendra të njohura botërore të tregtisë së gurëve të çmuar.

Salla “Apollo”, ku ndodhi grabitja, mbetet e mbyllur për publikun deri në përfundimin e hetimeve.

Kategoritë
BotaLajme