Kryetarja e re e zgjedhur e qytetit gjerman Herdecke po lufton për jetën e saj pasi u godit disa herë me thikë, raportojnë mediat gjermane. Iris Stalzer pritej të merrte detyrën muajin e ardhshëm në Herdecke, në rajonin Ruhr, pasi u zgjodh më 28 shtator.
Djali i saj i birësuar 15-vjeçar i tha policisë se nënës së tij i ishte sulmuar në rrugë nga disa burra, sipas raportimit të Bild.
Gazeta Westfalenpost shkroi se politikanja u godit me thikë 13 herë, por arriti të kthehej në banesën e saj, ku sipas raporteve ndodhej edhe vajza e saj 17-vjeçare.
Televizioni WDR njoftoi se autori i sulmit është ende në arrati, ndërsa raporte të tjera tregojnë se djali i saj është marrë në pranga nga policia.
“Kemi marrë lajmin për një akt të tmerrshëm në Herdecke,” shkroi kancelari gjerman Friedrich Merz në rrjetet sociale, duke shtuar se rasti duhet hetuar urgjentisht.
Pas incidentit, në qytetin me rreth 23.000 banorë u vendos një prani e madhe policore, ndërsa një helikopter u ul pranë vendit të ngjarjes për të transportuar 57-vjeçaren Stalzer në spital.
Një burim nga shërbimet e sigurisë më vonë i tha Reuters-it se ajo ndodhet në gjendje kritike.
Stalzer, avokate e së drejtës së punës, ishte anëtare e Partisë Socialdemokrate (SPD) të qendrës së majtë dhe kishte mposhtur kandidatin e Unionit Kristian Demokrat (CDU) të qendrës së djathtë.