Në SHBA, drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joe Kent, dha dorëheqje përmes një letre tronditëse, duke u bërë një nga temat kryesore të ditës.
Kent, një figurë e rëndësishme e inteligjencës amerikane, ka shërbyer në terren gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003 në Falluxha. Bashkëshortja e tij, Shannon Mary Kent, u vra në një sulm me bombë nga organizata terroriste DEASH në qytetin Manbij të Sirisë.
Në letrën drejtuar Donald Trumpit, Kent njoftoi dorëheqjen e tij nga posti.
“HYMË NË LUFTË NËN PRESIONIN E LOBIT IZRAELIT”
Si arsye për dorëheqjen, Kent përmendi politikat ndaj Iranit, duke deklaruar:
“Irani nuk përbënte një kërcënim të afërt për vendin tonë. Kjo luftë u nis nën presionin e Izraelit dhe lobit të tij të fuqishëm në SHBA.”
Ai theksoi se i mbështet politikat e mëparshme të Trumpit, por paralajmëroi se luftërat në Lindjen e Mesme janë “një kurth” për SHBA-në dhe se nuk duhet të përsëritet gabimi i Luftës së Irakut.
Kent gjithashtu akuzoi qarqe brenda administratës, së bashku me Izraelin dhe disa media, për një fushatë dezinformimi që e paraqiste Iranin si kërcënim të menjëhershëm dhe premtonte fitore të shpejtë.
“NJË LUFTË QË NUK I SJELL DOBI POPULLIT AMERIKAN”
Kent, i cili ka marrë pjesë në 11 misione luftarake dhe ka humbur bashkëshorten në luftë, tha:
“Nuk mund të mbështes dërgimin e një brezi të ri në një luftë që nuk i sjell asnjë përfitim popullit amerikan.”
Ai i bëri thirrje Trumpit që të rishqyrtojë politikat ndaj Iranit, duke paralajmëruar:
“Ose mund të ndryshoni drejtim dhe të krijoni një rrugë të re për vendin, ose ta çoni atë drejt kaosit.”
TRUMP E KISHTE LAVDËRUAR MË PARË
Një vit më parë, Donald Trump kishte nominuar Joe Kent për këtë post, duke e cilësuar si një figurë që “ia ka kushtuar jetën luftës kundër terrorizmit”.
Ai kishte theksuar përvojën e Kentit dhe faktin që ai e njeh nga afër koston e terrorizmit për shkak të humbjes së bashkëshortes së tij.
PJESË NGA LETRA E DORËHEQJES
“I nderuar z. Trump,
Pas një reflektimi të gjatë, kam vendosur të jap dorëheqje nga posti im si Drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit.
Nuk mund ta mbështes me ndërgjegje luftën në Iran. Irani nuk përbënte një kërcënim të afërt për vendin tonë dhe është e qartë se kjo luftë u nis nën presionin e Izraelit dhe lobit të tij në SHBA.
Ju e kuptonit se luftërat në Lindjen e Mesme janë një kurth që merr jetët e qytetarëve tanë dhe dëmton mirëqenien e vendit.
Si veteran i 11 misioneve luftarake dhe si bashkëshort që ka humbur gruan në luftë, nuk mund të mbështes dërgimin e një brezi të ri në një luftë që nuk i shërben popullit amerikan.
Është koha për vendime të guximshme: ose ndryshoni drejtim, ose do ta çoni vendin drejt një krize më të thellë. Vendimi është në duart tuaja.
Ishte nder për mua të shërbej në administratën tuaj dhe për vendin tonë.”











