Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë aktivitetit tradicional të Ditës së Falënderimeve, fali dy gjela të quajtur “Gobble” dhe “Waddle”. Me tone humoristike, Trump tha se vitin e kaluar Joe Biden-i i kishte falur dy gjela me “nënshkrim automatik”, ndaj ato falje “nuk vlejnë”.
Gjatë fjalimit në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në Uashington, Trump deklaroi se amerikanët këtë vit janë ekonomikisht në situatë më të mirë krahasuar me një vit më parë.
Trump tha se administrata e tij trashëgoi një situatë të rënduar ekonomike nga periudha e Joe Biden-it, por në vetëm një vit ka siguruar premtime investimesh prej 18 trilionë dollarësh.
ROLI I GARDËS KOMBËTARE NË ULJEN E KRIMIT
Presidenti amerikan theksoi se prania e Gardës Kombëtare në kryeqytet e ka bërë Uashingtonin shumë më të sigurt se më parë. Ai përmendi edhe qytetin e Çikagos, duke thënë se synon që edhe aty të ulet ndjeshëm niveli i kriminalitetit.
“FALJET E BIDEN-IT JANË TË PAVLEFSHME”
Trump kritikoi ish-presidentin Joe Biden, duke pretenduar se ai vitin e kaluar kishte përdorur metodën e “nënshkrimit automatik” për të falur gjelat, gjë që sipas tij “nuk përbën falje të vërtetë presidenciale”.
Me humor, ai shtoi se “pas një hetimi të bërë”, falja e gjelave vitin e kaluar rezulton e pavlefshme dhe se ato gjela i ka falur ai vetë këtë vit.
DY GJELAT U FALËN ZYRTARISHT
Pas fjalimit, Trump njoftoi se kishte falur zyrtarisht dy gjelat e rritur në Karolinën e Veriut, “Gobble” dhe “Waddle”.
Në SHBA, Dita e Falënderimeve festohet çdo vit të enjten e fundit të nëntorit. Tradita e faljes së gjelave në Shtëpinë e Bardhë daton që nga viti 1963, kur president ishte John F. Kennedy.











