Dodik sulmoi ashpër Turqinë pas dërgesës së dronëve në Kosovë: “Çfarë vjen më pas, armë për boshnjakët në Bosnjë?”

Kryetari i SNSD-së, Milorad Dodik, reagoi pas dërgesës së dronëve kamikazë nga Turqia për Kosovën, duke e cilësuar këtë veprim si “armikësi të hapur ndaj Serbisë” dhe “dëshmi se nuk ka më fjalë për miqësi, por për politikë neo-osmane të Ankarasë”.

Deklarata e tij vjen vetëm disa ditë pas akuzave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç ndaj Turqisë për “shkelje të së drejtës ndërkombëtare” dhe “destabilizim të Ballkanit”, duke hapur një kapitull të ri në përplasjen rajonale të retorikave.

Dodik deklaroi se “është koha të ndalojmë së besuari në deklaratat e rreme të Turqisë për bashkëpunim me të gjitha popujt në Bosnje-Hercegovinë”, sepse, sipas tij, “është e qartë se bëhet fjalë për dëshirë bashkëpunimi vetëm me një popull”.

“Kur Turqia dërgon dronë në Ballkan, bie poshtë gënjeshtra për miqësi dhe marrëdhënie të mira, duke dërguar mesazhin e neo-otomanizmit. Dërgimi i armëve në Kosovë nuk është akt paqeje, por akt i hapur armiqësie. Dërgesa e dronëve kamikazë për Prishtinën nuk është bashkëpunim, por kërcënim brutal ndaj Serbisë dhe serbëve, si dhe mbështetje për Albin Kurtin në fushatën e tij parazgjedhore si përfaqësuesi kryesor i politikës antisërbe,” tha Dodik.

Sipas tij, ky veprim i Turqisë përbën “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të Rezolutës 1244” dhe “një përpjekje për të ringjallur mentalitetin e Vilajetit të Kosovës”, një projekt politik që, sipas tij, “synonte jo vetëm largimin e serbëve nga Kosova, por zhdukjen e tyre kudo që kanë jetuar për shekuj”.

Dodik u rreshtua hapur përkrah politikës së militarizimit të Serbisë të ndjekur nga Vuçiçi, duke thënë se “politika e presidentit Vuçiç për forcimin e vazhdueshëm të Ushtrisë së Serbisë është e vetmja e drejtë”.

“Është koha të mos i besojmë më deklaratave të Turqisë për bashkëpunim me të gjitha popujt në Bosnje-Hercegovinë. Është e qartë se ajo kërkon bashkëpunim vetëm me një. Çfarë vjen më pas — dërgimi i armëve për boshnjakët në Bosnjë që t’i përdorin kundër serbëve dhe kroatëve? Serbët në Republikën Srpska duhet ta shohin me kujdes dërgesën e dronëve për Kosovën, sepse kjo nuk është mesazh vetëm për Serbinë, por për të gjithë ata në Bosnje që nuk pajtohen me politikën e nënshtrimit. Kur armët ndahen në mënyrë selektive, ndërsa paqja predikohet vetëm në fjalë, kjo nuk është diplomaci — është strategji presioni. Prandaj, serbët nuk kanë më luksin të mashtrohen — në këto kohë, aleati më i rëndësishëm është uniteti,” përfundoi Dodik.

Ky reagim i Dodikut është në fakt jehonë e deklaratës së Vuçiçit drejtuar Ankarasë në fillim të javës, me të cilën presidenti serb për herë të parë e akuzoi hapur Turqinë për “armatimin e Kosovës” dhe “rrezikimin e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.”

Kategoritë
BotaLajme