Kryetarja e Komitetit për Zhvillim Ndërkombëtar në Parlamentin britanik ka shprehur shqetësim të thellë për justifikimin ligjor të qeverisë lidhur me vazhdimin e dërgesave të pjesëve për avionët F-35 të prodhuara në Britani drejt Izraelit.
Në një letër dërguar ministrit për Biznes, Jonathan Reynolds, të enjten, deputetja laburiste Sarah Champion deklaroi se është e shqetësuar për vendimin e qeverisë që të lejojë në mënyrë indirekte eksportin e pjesëve rezervë në Izrael, megjithë vlerësimin e vetë qeverisë se ekziston një rrezik real për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare nga Izraeli në Gaza.
“Jam ende e shqetësuar se ekziston një rrezik real që komponentët e armëve, të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar, mund të përdoren në sulme, përfshirë ato ndaj punonjësve humanitarë apo infrastrukturës humanitare,” shkroi Champion.
Gjatë vitit të kaluar, qeveria britanike pezulloi rreth 30 licenca për eksport armësh, pasi një rishikim i urdhëruar nga qeveria e re laburiste tregoi se Izraeli kishte përdorur armë të prodhuara në Britani në shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në Gaza.
Megjithatë, komponentët për avionët F-35 të prodhuar në Britani, të cilët dërgohen në fondin global të programit F-35, janë përjashtuar nga kjo ndalesë për shkak të shqetësimit se nuk ka mënyrë për të ndaluar dërgimin e pjesëve britanike të destinuara për Izraelin pa prishur funksionimin e gjithë flotës globale dhe pa rrezikuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.