Deputeti izraelit: “Nuk e kuptoj për çfarë po luftojmë në Gaza, cili është nevoja?”

Deputeti i lartë i partisë “Judaismi i Bashkuar”, Moshe Gafni, deklaroi se nuk e kupton për çfarë po lufton Izraeli në Rripin e Gazës.

Gafni shprehu falënderim ndaj Zotit dhe presidentit amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës me Iranin, ndërsa shprehu ngushëllime për vdekjen e shtatë ushtarëve izraelitë në Gaza dje.

Kujtojmë se shtatë ushtarë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) u vranë dhe rreth 17 të tjerë u plagosën pasi ranë në një pritë të përgatitur nga brigadat Al-Qassam në Khan Younis, në jug të Gazës.

“Deri në këtë moment, nuk e kuptoj për çfarë po luftojmë atje. Nuk e kuptoj nevojën. Çfarë do të bëjmë atje kur ushtarët tanë po vdesin vazhdimisht? Nuk e kuptoj. Na duhej Trump këtu që të vinte dhe të thoshte se po i kthejmë pengjet, po i japim fund të gjithave dhe po kthehemi në normalitet, por mesa duket ende nuk e kemi merituar këtë,” u shpreh Gafni.

Partia e Gafnit kohët e fundit ka kërcënuar me rrëzimin e qeverisë për shkak të përpjekjeve për të rekrutuar anëtarët e komunitetit Haredi në ushtri.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i partisë ekstreme të djathtë “Cionizmi fetar”, Yehuda Wald, e cilësoi deklaratën e Gafnit si “të tmerrshme”.

“Çfarë u thotë kjo 879 familjeve të ushtarëve të rënë heronj, që djemtë e tyre vdiqën kot? Çfarë u thotë banorëve që jetojnë afër Gazës dhe që kanë frikë nga një masakër tjetër – që do t’i lëmë në mëshirën e terroristëve të Hamasit? Vetëm dikush që nuk i dërgon djemtë e vet në luftë mund të flasë me aq ftohtësi,” deklaroi Wald, duke e quajtur Gafnin “turp”.

Kategoritë
BotaLajme