Kryetarja e trupit gjykues, Donikë Shala Abdyli ka thënë se është vërtetuar që i akuzuari i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim për krime lufte Millorad Gjokoviqin, për krime lufte në Ozdrim të Pejës në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore serbe, më 7 maj të vitit 1999, transmeton Anadolu.
Gjokoviq, i njohur edhe me nofkën “Mici” akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe ç’njerëzore.
Kryetarja e trupit gjykues, Donikë Shala Abdyli ka thënë se është vërtetuar që i akuzuari i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet. Shala Abdyli ka shtuar se provat e administruara nuk kanë arritur të dëshmojnë se i akuzuari ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve.
Gjokoviq akuzohej gjithashtu nga Prokuroria për plaçkitje, djegie dhe shkatërrim të pronës së popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, gjatë ofensivës në Ozdrim janë vrarë gjashtë civilë shqiptarë, tre të plagosur janë ekzekutuar pasi ishin trajtuar në spital ndërsa pesë persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.
Procesi gjyqësor ndaj Gjokoviqit, i cili u vetdeklarua i pafajshëm në fillim të procesit, nisi më 20 korrik të vitit 2023, ndërsa ai u arrestua më 27 qershor të vitit 2022.
