Daçiq falënderon Rusinë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës

Daçiq falënderon Rusinë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës

Daçiq e informoi Lavrovin për gjendjen aktuale të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar “situatën e vështirë në terren” dhe atë që Beogradi i cilëson si “presione të njëanshme, keqtrajtim dhe përndjekje të popullit serb” në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë në detyrë, Ivica Daçiq, është takuar në Moskë me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, partneritetin strategjik mes Moskës dhe Beogradit, si dhe situatën në Kosovë, transmeton Anadolu.

Gjatë takimit, njofton Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, Daçiq e informoi Lavrovin për gjendjen aktuale të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar “situatën e vështirë në terren” dhe atë që Beogradi i cilëson si “presione të njëanshme, keqtrajtim dhe përndjekje të popullit serb” në Kosovë.

Në njoftim thuhet se Daçiq shprehu mirënjohjen ndaj Rusisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Nga ana e tij, Lavrov ritheksoi mbështetjen e Moskës për Serbinë në ruajtjen e integritetit të saj territorial.

“Lavrovi theksoi se Moska zyrtare, në arenën ndërkombëtare, pranon vetëm një zgjidhje për Kosovën dhe Metohinë që është plotësisht e pranueshme për Serbinë dhe që mbron interesat legjitime kombëtare të popullit serb”, thuhet në njoftim.

Daçiq dhe Lavrov shprehën gjithashtu “kënaqësi të madhe të ndërsjellë për zhvillimin dinamik të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në nivel shumëpalësh”.

Kategoritë
LajmeRajoni