Çfarë po ndodh në SHBA: “Toka e lirisë” nën armët e ushtrisë së vet — skena që zgjojnë frikën e një përçarjeje të brendshme

Shtetet e Bashkuara janë sërish thellësisht të përçara. Ndërsa republikanët dhe mbështetësit e lëvizjes MAGA përshëndesin vendimin e presidentit Donald Trump për të dërguar Gardën Kombëtare në rrugë, me arsyetimin se “po ruhet rendi dhe ligji”, shumë amerikanë të tjerë kanë frikë se janë dëshmitarë të lindjes së një shteti policor.

Rreth 200 ushtarë nga Garda Kombëtare e Teksasit kanë mbërritur në shtetin federal Illinois, ku do të vendosen në Çikago, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga zyrtarët lokalë demokratë. Trump tashmë ka urdhëruar praninë e trupave në Los Angeles dhe Washington dhe tani kërkon zgjerimin e tyre në Memfis, Çikago dhe Portland — duke kërcënuar se, nëse gjykatat e bllokojnë vendimin, do të përdorë kompetencat emergjente presidenciale.

Presidenti, i cili së fundi deklaroi se “qytetet amerikane mund të shërbejnë si terrene stërvitjeje ushtarake”, e përdor rritjen e incidenteve në Los Angeles dhe Washington si justifikim për dislokime të reja. Por disa gjyqtare federale paralajmërojnë se pretendimet e tij për “rebelime” janë të ekzagjeruara dhe pa baza.

Guvernatori i Illinois, J.B. Pritzker, reagoi ashpër: “Trump po sillet si Vladimir Putin. Kjo nuk ka të bëjë me luftën kundër krimit — është pushtim i qyteteve amerikane.”

Megjithatë, Trump miratoi dërgimin e 700 trupave të Gardës Kombëtare në Çikago, gjë që nxiti një padi nga autoritetet shtetërore, të cilat pretendojnë se ai po përdor ushtrinë për të “ndëshkuar kundërshtarët politikë”.

“Zonat e luftës” dhe përplasjet ligjore
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, mbrojti vendimin e Shtëpisë së Bardhë, duke e quajtur Çikagon “zonë lufte” që ka nevojë për ndërhyrje federale. Por gjyqtarja federale Karin Immergut, e emëruar nga vetë Trump, vendosi se protestat në Portland nuk paraqesin rrezik rebelimi dhe se policia lokale është e aftë të menaxhojë situatën.

Trump megjithatë paralajmëroi se mund të thirret në “Ligjin e Rebelimit”, që i lejon presidentit të përdorë ushtrinë brenda vendit në raste të rënda trazirash. “Nëse duhet ta bëj, do ta bëj,” tha ai.

Sot mbi 2.000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë të dislokuar në qytete të ndryshme amerikane — numri më i madh në historinë e këtij formacioni. Ndërsa Trump e quan këtë “luftë kundër krimit dhe kaosit”, kritikët paralajmërojnë se vendi po rrëshqet drejt militarizimit të jetës publike dhe shtypjes së lirive qytetare.

Dualiteti i Gardës Kombëtare
Garda Kombëtare ka një strukturë të dyfishtë — i përgjigjet si guvernatorëve të shteteve, ashtu edhe presidentit. Normalisht aktivizohet në raste fatkeqësish natyrore apo trazirash civile, por nën komandë federale kalon nën autoritetin e Shtëpisë së Bardhë, duke ngritur dilema të rënda kushtetuese.

CNN vëren se dërgimi i trupave në rrugët amerikane thyen një tabu historike, pasi SHBA u themelua mbi revoltën kundër tiranisë — dhe prania e ushtrisë në rrugë zgjon frikën e humbjes së lirisë.

Kritikat dhe akuzat për abuzim me pushtetin
Senatori demokrat Jeff Merkley tha se Trump “qëllimisht po krijon imazh kaosi” për të justifikuar masa ekstreme. “Ai dëshiron që protestuesit të reagojnë dhunshëm, për të pasur justifikim ligjor,” tha Merkley.

Ndërkohë, këshilltari i tij i afërt, Stephen Miller, argumentoi se ndërhyrja është “e domosdoshme për të mbrojtur pronën federale” dhe e quajti protestuesit “terroristë vendas”.

Juristët dhe gjykatat, megjithatë, e refuzojnë këtë narrativë, duke theksuar se nuk ka rebelim apo konflikte të armatosura, por ekzagjerime politike që synojnë militarizimin e hapësirës publike.

Militarizimi si mjet politik
Kritikët thonë se Trump po përdor ushtrinë për të treguar “fuqi absolute” dhe për të forcuar kultin e tij politik, ndërsa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme. Sondazhet tregojnë se 58% e amerikanëve nuk e mbështesin vendosjen e trupave në qytete, por ai llogarit tek baza e tij konservatore që e sheh këtë si shenjë vendosmërie.

Në përfundim, analistët theksojnë se SHBA po përballet me një provë të rëndë kushtetuese: a mundet sistemi demokratik të kufizojë një president që po zgjeron kompetencat e tij përtej kufijve ligjorë? Nëse kjo praktikë legalizohet, mund të ndryshojë përfundimisht mënyrën se si amerikanët e perceptojnë lirinë dhe pushtetin.

Për momentin, imazhet e ushtarëve të armatosur në rrugët e Amerikës janë një paralajmërim i qartë: mes rendit dhe shtypjes, kufiri nuk ka qenë kurrë më i hollë.

Kategoritë
BotaLajme