Në provincën Guangdong të Kinës janë raportuar mbi 7,000 raste të virusit ‘chikungunya’, i cili transmetohet nga mushkonjat.
Qyteti Foshan është më i godituri, ku pacientët mbahen në spital nën masa të rrepta kundër përhapjes.
Edhe pse rastet janë të lehta, autoritetet kineze kanë paralajmëruar për kujdes të shtuar.
Megjithatë, rastet kanë çuar në panik, duke pasur parasysh se virusi nuk është i njohur gjerësisht në vend, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë SHBA-të u kanë kërkuar udhëtarëve në Kinë të tregojnë “kujdes të shtuar” pas shpërthimit.
Por çfarë është ‘chikungunya’?
Shumica e njerëzve të pickuar nga një mushkonjë e infektuar do të zhvillojnë simptoma të ‘chikungunya’ brenda tri deri në shtatë ditësh.
Në shumicën e rasteve, pacientët do të ndihen më mirë brenda një jave. Megjithatë, në raste të rënda, dhimbja e kyçeve mund të zgjasë për muaj ose edhe vite.
Ata që janë në rrezik për sëmundje më të rënda përfshijnë të porsalindurit, të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore themelore, të tilla si sëmundjet e zemrës ose diabeti.
Nuk ka kurë, por vdekjet nga ‘chikungunya’ janë të rralla.
Virusi u identifikua për herë të parë në Tanzani në vitin 1952. Më pas u përhap në vende të tjera në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Juglindore.
Deri më sot, është raportuar në më shumë se 110 vende.